Shkrimtari Ismail Kadare bëhet me nënshtetësi të Kosovës.  / Foto: Presidenca e Republikës së Kosovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme ka nënshkruar dekretin me të cilin shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare do të pajiset me nënshtetësi të Republikës së Kosovës.

Sipas presidentes Osmani, dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, shkrimtarit Ismail Kadare është nderim për shtetin e Kosovës për krijuesin, i cili vazhdimisht është pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, citohet Osmani.

Dekreti i nënshtetësisë shkrimtarit Kadare do t'i dorëzohet nga presidentja Osmani gjatë vizitës, e cila do të realizohet në Shqipëri në një periudhë të afërt.

Ndryshe, presidentja Osmani, në qershor të këtij viti, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit dhe shoqërisë.

TRT Balkan / agjencitë