Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, Shkupi, mëngjesin e sotëm është mbuluar nga mjegulla e dendur, teksa sërish është renditur në mesin e dhjetë qyteteve më të ndotura në botë.
Mjegulla në luginën e Shkupit ka reduktuar ndjeshëm dukshmërinë, duke vështirësuar trafikun.
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike paralajmëroi se në mëngjes do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës nëpër lugina në gjithë Maqedoninë e Veriut. Në Shkup, gjatë ditës është parashikuar mot me diell me vranësira të vogla dhe me erë të dobët jugore.
Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara në IQAir, Shkupi sërish radhitet në mesin e dhjetë qyteteve me ajrin më të ndotur në botë, respektivisht në vendin e dhjetë dhe bën pjesë në kategorinë “e pashëndetshme” me vlerë të Indeksit të Cilësisë së Ajrit (AQI) prej 156.
Nga vendet e rajonit, Sarajeva radhitet e treta me vlerë të AQI-së prej 225.
IQAir është një kompani teknologjike zvicerane që nxit individët, organizatat dhe qeveritë të përmirësojnë cilësinë e ajrit përmes informacionit dhe bashkëpunimit.