Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbisë nuk i leverdis normaliteti i krijuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 14:30, në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën magjistrale te Liqeni i Ujmanit, nga një apo më shumë persona të panjohur është hedhur një granatë dore, me ç’rast janë dëmtuar dy vetura të parkuara, njëra me targa vendore dhe tjetra me targa amerikane.
Kryeministri Kurti tha se normaliteti i krijuar së fundmi në veri nuk i leverdis Serbisë.
“Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të nuk u leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjo është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme”, shkroi Kurti në rrjetet sociale.
Kurti tha se, megjithëkëtë, nuk ka rrugë tjetër përpos normalitetit në veri dhe sundimi i ligjit dhe rendi publik, siguria dhe paqja, janë vlera themelore.
“Patjetër që institucionet e sigurisë, marrë për bazë profesionalizmin bashkëkohor dhe vullnetin e palëkundur, do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë. Kjo pjesë, ashtu si të gjitha të tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, theksoi Kurti.
Pas shpërthimit, njësitë policore relevante dolën në vend të ngjarjes dhe po e hetojnë rastin.
Ditëve të fundit, shumë qytetarë të Kosovës janë parë duke u larë në liqenin e Ujmanit, në afërsi të të cilit Policia e Kosovës i bastisi dhe i sekuestroi vilën Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të partisë Lista Serbe, i cili mori përgjegjësinë e sulmit të 24 shtatorit në Banjska të Zveçanit.