Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka bërë publike shifrat e vizitorëve të huaj, ku përgjatë periudhës janar-tetor 2024, Shqipëria është vizituar nga 10,4 milionë vizitorë të huaj.
“Vizitorët e huaj thyen rekordin e gjithë vitit 2023 duke shënuar shifrën e 10,4 milionë turistëve ose 16,2% më shumë se periudha janar-tetor e vitit të shkuar, edhe pse qëllimi ynë i vetëm nuk janë numrat, por ky model i mirë që po krijojmë e që sërish na jep medaljen si destinacioni më i dëshiruar turistik” është shprehur ministrja Kumbaro përmes një reagimi.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit dhe të Mjedisit, gjatë muajit tetor vendin e vizituan 761 mijë vizitorë të huaj, ose 9,3% më shumë se tetori i vitit 2023. Pak ditë më parë, ishte Organizata Botërore e Turizmit që në Barometrin Global e renditi Shqipërinë të parën në Europë dhe të dytën në botë sa i takon normës së rritjes së vizitorëve ndërkombëtarë.
Po ky barometër e klasifikoi Shqipërinë të parën për sa i përket rritjes së të ardhurave nga sektori i turizmit krahasuar me periudhën e para-pandemisë. Në fund të muajit tetor, revista e njohur e udhëtimeve “Wanderlust” i akordoi Shqipërisë medaljen e argjendit si vendi më i dëshirueshëm për t’u vizituar nga turistët, përmes një votimi nga lexuesit britanikë.