Shtatë grupe kriminale të shpërndarjes së drogës pranë shkollave u shkatërruan këtë të hënë në Shqipëri.
Operacioni “Tempulli” u rikthye sërish, kësaj here në fazën e tij të dytë, duke goditur qindra shpërndarës, shitës dhe trafikantë me doza të vogla në qytetet më të mëdha në vend. Në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan dhe Korçë, u arrestuan 273 persona, nga 295 urdhër arreste të firmosura nga prokuroritë nëpër rrethe.
Forca Kombëtare e Sigurisë, Forcat Operacionale, të udhëhequr nga agjentët e Antidrogës zbarkuan për të kontrolluar në total 306 ambiente, tek të cilët u kapën shpërndarës droge që prej vitesh ishin kthyer në terrenin e zonave të tyre të influencës, sidomos në afërsi të shkollave. Detajet e operacionit u dhanë nga kryepolici Muhamet Rrumbullaku.
“Ka qenë një operacion i suksesshëm. Operacioni Tempulli 2 ka filluar në javën e parë të muajt dhjetor, dhe përgjatë kësaj kohë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në bashkëpunim të ngushte me Prokurorinë e Përgjithshme kanë iniciuar 66 hetime proaktive, për goditjen e anëtarëve të grupeve kriminale. Janë marrë 295 urdhra ndalimi dhe vendime arresti, si dhe 306 vendime kontrolli. Nga operacioni policia ka arritur te finalizoj arrestimin për 273 shtetas dhe janë sekuestruar një sërë provash materiale që dëshmojnë aktivitetin e tyre kriminal”, tha Rrumbullaku.
“Faza e dytë e operacionit nuk lidhet vetëm me shkollat, por me gjithë vendin dhe zonat komunitare në. Fokusi i policisë së shtetit ka qenë goditja e fenomenit të shpërndarjes së naroktikës tek adoleshentët. Në këtë operacion përveç çështjeve që lidhen me lëndën narkotike, janë sekuestruar edhe prova që kanë të bëjmë me tërësinë e operacionit vijues “Sundimi i ligjit”, deklaroi Rrumbullaku.