Besimtarët e krishterë në Shqipëri kremtojnë sot festën e Krishtlindjeve, ndërkohë në Tiranë dhe qytetet e tjera janë mbajtur meshat tradicionale.
Meshat qendrore janë mbajtur në Tiranë, në Katedralen Katolike të "Shën Palit" dhe në Katedralen e Kishës Ortodokse, me pjesëmarrjen e besimtarëve, klerikëve dhe personaliteteve të ndryshme.
Me rastin e Krishtlindjeve, zyrtarët e lartë të Shqipërisë kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit për besimtarët e krishterë. Presidenti Bajram Begaj vizitoi Katedralen Katolike të "Shën Palit" në Tiranë, ndërkohë publikoi në rrjetet sociale edhe një mesazh urimi për besimtarët.
Në mesazhin e tij, Begaj tha se Krishtlindjet janë një festë që simbolizojnë lindjen e shpresës dhe paqes dhe festë që "na fton të ndalemi për një çast e të reflektojmë mbi vlerat më të larta të njerëzimit: dashurinë, solidaritetin, mirëkuptimin dhe faljen".
Mesazhe urimi kanë publikuar edhe kryeministri Edi Rama dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali. Festa e Krishtlindjeve në Shqipëri shënohet si festë zyrtare dhe me rastin e saj organizohen ceremoni dhe aktivitete të ndryshme.