Shqipëri-Kosovë, propozohet unifikimi i lëndëve histori dhe gjuhë shqipe. / Photo: AA

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit i Shqipërisë zhvilloi një mbledhje të përbashkët me Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kjo mbledhje u zhvillua në kuadër të planit të punës, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave institucionale ndërmjet dy vendeve.

Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të Shqipërisë, Flutura Açka përshëndeti botimin e Abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Lidhur me unifikimin e teksteve mes dy vendeve, Açka tha se do të nevojitet një periudhë 10-vjeçare.

“Ajo që ne mund të unifikojmë dhe ta fillojmë mund të jetë historia, letërsia dhe gjuha shqipe. A mundet që këto tri tekste, që janë bërthama e kombit, ne t’i fillojmë t’i unifikojmë. Ky është propozimi im, i përbashkët, nëse mundet që t’ua propozojmë ministrive tona korrespondente dhe ta vazhdojmë në grupe të vogla se si mund të arrijmë në një relacion që t’ia propozojmë qeverive tona”, tha Açka.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola, u shpreh se kjo mbledhje ndodh për një arsye të përbashkët mbi fuqizimin e rolit të parlamentit dhe komisionit në raport me ekzekutimin.

“Dy vendet tona kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh dhe është roli ynë si komisione që të luajmë një rol më aktiv në zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Mund të bëjmë më shumë për jetësimin e këtyre marrëveshjeve, që të kemi një projekt të përbashkët të fuqizimit të dy shteteve në rajon dhe më gjerë”, tha Gola.

Duke folur për unifikimin e teksteve shkollore, Gola tha se ende nuk janë të harmonizuara kurrikulat e lëndëve të historisë, gjuhës shqipe dhe letërsisë.

“Mendoj se politika e të dy shteteve duhet të jetë e fokusuar në mënyrë dërrmuese te fuqizimi dhe ruajtja e lidhjes afektive të diasporës me vendet e tyre amë”, kështu përfundoi, Gola.

TRT Balkan / agjencitë