Shqipëria bëhet anëtare e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.     Foto: Edi Rama/Facebook

Marrëveshja u nënshkrua ndërmjet komisionerit të BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič dhe ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, në prezencë edhe të kryeministrit Edi Rama.

Në fjalën e tij, komisioneri përmendi tërmetin dhe zjarret me të cilat është përballur Shqipëria vitet e fundit duke thënë se njësitë europiane iu gjendën menjëherë pranë për t'i ndihmuar.

Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e ndërtimit të mbrojtjes civile në Shqipëri në mënyrë që të shpëtohen më shumë jetë dhe të kursehen para.

“Shqipëria tani është e integruar plotësisht në familjen europiane të mbrojtjes civile. Është anëtar i Mekanizmit për Mbrojtjen Civile. Kjo është e rëndësishme pas tërmetit 2019, zjarreve të këtij viti, ne e dimë që do të ketë fatkeqësi në të ardhmen sërish dhe me disa prej tyre mbase nuk do ia dalin dot të vetëm. Shqipëria është një nga vendet që preken nga ndryshimet klimatike. Këto impakte të ndryshimeve po rriten siç e shihni me sezonin e thatë, temperaturat e larta, zjarret në pyje etj. Kjo bën shumë sens që të bashkojmë kapacitetet dhe t’i përballim bashkë”, tha Lenarçiç.

Nga ana tjetër kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilëson si një hap më pranë BE-së, anëtarësimin e Shqipërisë për t’u bërë anëtarë e Mekanizmit të BE-së për Mbrojtjen Civile.

“Shqipëria plotëson të gjitha kushtet dhe bëhet anëtare me të drejta të plota e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, çka do të thotë që çdo fatkeqësi natyrore e jona është njëkohësisht fatkeqësi natyrore e Bashkimit Europian, e cila vë menjëherë në lëvizje mekanizmin e mbrojtjes europiane, duke angazhuar për Shqipërinë mjete, njerëz e fonde për përballimin e emergjencës. Sot jemi një hap më pranë BE-së dhe BE-ja është një hap më afër nesh, në një rrugë që tanimë bëhet çdo ditë e më e përbashkët”, ka shkruar Edi Rama në rrjete sociale.

Si një anëtare e plotë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, Shqipëria jo vetëm që do të jetë në gjendje të marrë mbështetje të menjëhershme, por gjithashtu mund të dërgojë ndihmë për vendet e goditura nga një fatkeqësi nëpërmjet Mekanizmit, duke çuar në reagim më të fortë dhe më të koordinuar ndaj krizave në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës.

Përpara se të anëtarësohej si një anëtare me të drejta të plota, Shqipëria ishte mbështetur tashmë nga Ekipet e Mbrojtjes Civile të BE-së pas tërmetit shkatërrues në nëntor 2019 dhe zjarreve në tri verat e fundit.

TRT Balkan / agjencitë