Shqipëria dhe Spanja nënshkruan sot një Memorandum Bashkëpunimi për arritjen e një koordinimi sa më të mirë të punës për çështjet e integrimit evropian.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim homologun spanjoll, Jose Manuel Albares Bueno, vizita e të cilit i paraprin marrjes së Presidencës së BE-së nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, Xhaçka vlerësoi se kjo vizitë është provë e vëmendjes së posaçme që Spanja po i kushton vendit tonë dhe rajonit.
“Kjo është vizita e parë e një Ministri të Jashtëm spanjoll në Shqipëri pas shumë vitesh, çka në vetvete përbën një ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet mes vendeve tona. Por, ajo që e bën këtë vizitë akoma më domethënëse është momenti në të cilin ndodhemi, pasi siç e dini, kjo vizitë i paraprin marrjes së Presidencës së BE-së nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit. Ky është një gjest që realisht e çmojmë shumë sepse është provë e vëmendjes së posaçme që Spanja po i kushton vendit tonë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha Xhaçka.
Ministrja theksoi se “ne ndajmë të njëjtin mendim që zgjerimi nuk është thjesht e nuk duhet të jetë thjesht një instrument i BE-së, por është vetë esenca e Unionit, ndaj dhe çdo vend i Evropës duhet të aspirojë për t’u bërë pjesë e tij”.