Shqipëria do ta mbyllë TikTok-un, Rama: Do të na duhen 6-8 javë            / Foto: AA

Kryeministri i Shqipërisë ka njoftuar se qeveria ka marrë vendimin për ta mbyllur TikTok-un për një periudhë njëvjeçare për të gjithë.

Rama e dha lajmin gjatë takimit me prindërit dhe mësuesit për planin e ri të veprimit për fuqizmin e mekanizmave të sigurisë në shkollë për më shumë cilësi, siguri dhe gjithëpërfshirje.

“Është shumë më tërheqës “rrugaçi i lagjes” që ne e quajmë TikTok, ne TikTokun do ta mbyllim për një vit. Kini parasysh që kemi bërë hulumtimet tona në aspektin teknologjik do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga viti i ardhshëm dhe për një vit do ta mbyllim për të gjithë”, deklaroi Rama.

Rama tha se përgjatë këtij viti do të shohin edhe si do të veprojnë vende të tjera në lidhje me këtë rrjet social.

“Gjatë atij viti do të shohim si do të veprojnë vendet e tjera, si do të reagojë vet TikTok-u. Kjo kompani rrënjët i ka në Kinë po të shohësh TikTok në Kinë dhe në vende të tjerë janë krejtësisht të ndryshme. Rrugaçëria, perversitetet, dhunë, bullizëm, krim, euro, dollarë nuk sheh në TikTok-un e Kinës. Problem sot nuk janë fëmijët tanë problem sot jemi ne shoqëria jonë, TikToku dhe të gjithë Toktokët e tjerë që na marrin peng fëmijët njësoj si “Rrugaçi i lagjes”. Këtë rrugaç do ta përzëmë nga lagjja jonë për një vit dhe të shikojmë se çfarë do të bëjnë të tjerët”, u shpreh Rama.

TRT Balkan / agjencitë