Shqipëria do të hapë ambasada të reja në 4 shtete, përfshirë BeH-në           / Foto: AA

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, në konferencën e fundvitit për mediat lokale deklaroi se vitin e ardhshëm në katër shtete do të hapen ambasada të reja të Shqipërisë.

Sipas Hasanit, ambasadat e reja do të hapen në Bosnjë e Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Keni.

“Në 2025 do të kemi hapje të ambasadave të reja në Bosnjë e Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Keni. Këto ambasada përfaqësojnë një angazhim të fortë për ta përfaqësuar Shqipërinë në rajone strategjike dhe për të ndihmuar në rritjen e mundësive të bashkëpunimit ekonomik dhe diplomatik", tha Hasani, duke shtuar se këto ambasada gjithashtu do të kenë një kontribut të rëndësishëm në diversifikimin e partnerëve ndërkombëtarë.

Kryediplomati shqiptar gjithashtu paralajmëroi se në vitin që vjen në Tiranë do të hapen dy zyra të rëndësishme ndërkombëtare.

“Në vitin 2025, Tirana do të presë hapjen e dy zyrave të rëndësishme ndërkombëtare: Zyrën e Bankës Evropiane të Investimeve dhe zyrën e Organizatës për Zhvillim Industrial të Kombeve të Bashkuara”, tha Hasani.

TRT Balkan / agjencitë