Shqipëria notë verbale Britanisë së Madhe për komentet ndaj shqiptarëve.     / Foto: Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ambasadorit të Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King Smith, i është dorëzuar sot notë verbale nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë për komentet që ka bërë ndaj emigrantëve shqiptarë ministri britanik i Emigracionit, Robert Jenrick.

Në njoftimin për mediet, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se nëpërmjet kësaj note verbale, “shprehet shqetësimi për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick”.

“Në përgjigje të interesimit të mediave, Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diasporës në MEPJ bën me dije se Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith i është dorëzuar sot paradite një Notë Verbale në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Nëpërmjet kësaj Note, MEPJ-ja paraqiti shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick. MEPJ-ja theksoi se kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit Britanik Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjerash ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dyja vendeve”, thuhet në deklaratën zyrtare të MEPJ-së.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkon shmangien e kësaj gjuhe urrejtjeje e diskriminimi dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra së bashku si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare.

“Vendet tona janë angazhuar nëpërmjet Deklaratës së Përbashkët që të nxisin më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit në një game të gjerë fushash me fokus rininë, inovacionin, turizmin, arsimin dhe investimet strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri”, thekson MEPJ-ja.

Përmes një video në Twitter ministri britanik Jenrick, tha se shqiptarët duhet të zbulohen, ndalon dhe kthehen në Tiranë.

TRT Balkan / agjencitë