Në Shqipëri shënohet këtë vit 33-vjetori i rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha, që shënoi edhe në mënyrë simbolike rrëzimin e regjimit komunist.
Në vend janë hapur disa muze dhe institucione të tjera që kanë në fokus të studiojnë dhe pasqyrojnë të kaluarën komuniste të Shqipërisë, ndërsa janë ngritur edhe memoriale për të nderuar dhe përkujtuar viktimat që shkaktoi regjimi komunist.
Rrëzimi i shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha
Pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, në Shqipëri u vendos regjimi komunist (1944-1991), që solli pasoja të rënda edhe në jetën e qytetarëve të vendit. Gjatë periudhës rreth gjysmëshekullore regjimi i drejtuar nga diktatori Enver Hoxha ekzekutoi, internoi dhe burgosi për arsye politike dhjetëra mijëra shqiptarë në burgjet dhe kampet e internimit të ngritura në mbarë vendin.
Ndërkohë, nga ana tjetër, gjatë regjimit komunist në Shqipëri u ndërtuan buste dhe monumente të tjera të diktatorit Hoxha, ndërsa ajo që mbeti si një nga simbolet e diktaturës ishte shtatorja e ish-diktatorit në Tiranë.
Shtatorja e ish-diktatorit Hoxha u përurua në vitin 1988 në Sheshin "Skënderbej" në kryeqytet, ndërsa nuk qëndroi shumë gjatë, pasi lëvizja studentore antikomuniste në Shqipëri filloi në dhjetor të vitit 1990 dhe vazhdoi për disa muaj derisa u shndërrua në një lëvizje më të madhe me protesta popullore, duke sjellë edhe rrëzimin e regjimit komunist.
Protestat që filluan në dhjetor të vitit 1990 fillimisht nga studentët do të kulmonin me rrëzimin e shtatores së ish-diktatorit Hoxha, më 20 shkurt 1991.
Rrëzimi i shtatores së ish-diktatorit Hoxha, që konsiderohej si një nga simbolet e diktaturës, ishte një nga ngjarjet e rëndësishme të asaj kohe që shënoi edhe simbolikisht rënien e regjimit komunist në Shqipëri.
Ish-diktatori Enver Hoxha e udhëhoqi Shqipërinë komuniste nga viti 1944 deri në vitin 1985 dhe pas vdekjes së tij sistemi komunist do të drejtohej nga Ramiz Alia, por vetëm për 6 vite, pasi demonstratat popullore dhe ndryshimet që pësuan regjimet komuniste në Evropë përfshinë edhe Shqipërinë.
"Postbllok", memoriali që përkujton viktimat e regjimit komunist në Shqipëri
Trashëgimia e regjimit komunist dhe krimet e komunizmit në Shqipëri janë të dokumentuara në disa muze dhe institucione të tjera në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.
Ndërkohë, për të nderuar viktimat e regjimit komunist, sidomos personat që u ekzekutuan, por edhe ata që vuajtën në burgje dhe kampe përqendrimi, janë ndërtuar edhe memoriale dhe monumente të tjera, përfshirë edhe memorialin "Postbllok" në Tiranë.
Memoriali i iniciuar nga Bashkia e Tiranës u inaugurua në vitin 2013, duke mbetur si një nga vendet ku përkujtohen viktimat dhe të burgosurit politikë të regjimit komunist.
"Postbllok" i konceptuar edhe si një vepër instalacioni përbëhet nga disa pjesë autentike (objekte) që personifikojnë regjimin komunist dhe është i vendosur në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", pranë lagjes së njohur që sot njihet si ish-"Blloku", ku më parë kanë jetuar udhëheqësit e lartë të regjimit komunist.
Memoriali "Postbllok", i cili ndryshe quhet edhe si "Memoriali i izolimit komunist" përmban një pjesë të Murit të Berlinit dhuruar për Bashkinë e Tiranës nga Bashkia e Berlinit, një bunker dhe disa shtylla nga një prej burgjeve dhe kampeve të komunizmit në Shqipëri (kampi-burg i Spaçit).
Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë së Tiranës, pjesa e murit prej 2,6 tonë e mbuluar me grafite është dhuratë për Tiranën nga qyteti i Berlinit.
Bunkeri ka qenë aty edhe gjatë regjimit komunist për të ruajtur hyrjen kryesore të bllokut rezidencial të Bllokut, të ndarë nga pjesa tjetër e qytetit, ku gjatë regjimit komunist jetuan diktatori Hoxha dhe zyrtarët e tjerë më të lartë komunistë.
Shtyllat e betonit janë marrë nga galeritë e minierës së kampit të Spaçit (në territorin e Bashkisë Mirditë) ku mbaheshin të burgosurit si kundërshtarë të regjimit komunist dhe të cilët kryenin dënimin me punë të detyruar. Ky burg përbëhej kryesisht nga të rinj të dënuar të cilët punonin në një minierë ku nxirrej minerali pirit dhe bakër.
Lagjja "Blloku" gjatë regjimit komunist ishte një zonë e ndaluar për qytetarët e vendit dhe nuk lejohej hyrja nëse nuk ishe banor në shtëpitë dhe rezidencat qeveritare, pasi banonin vetëm zyrtarët e lartë të regjimit komunist, përfshirë edhe diktatorin Hoxha.
Emërtimi "Postbllok" dhe zona e vendosjes së memorialit janë zgjedhur në mënyrë simbolike për të treguar izolimin që krijoi regjimi komunist, si dhe izolimin e lagjes "Blloku" ku banonin zyrtarët e lartë të regjimit nga pjesa tjetër e Tiranës.
Ndërkohë, në vitet e fundit "Postbllok" është shndërruar edhe në një nga vendet që tërheq vëmendjen e turistëve të huaj, por edhe të vizitorëve vendas, të cilët me anë të tij njihen me disa nga aspektet dhe një pjesë të historisë së komunizmit.
Në Shqipëri ka edhe objekte dhe institucione të tjera kryesisht muzeale që tregojnë të kaluarën komuniste në vend, si pavijoni i persekutimit komunist në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve "Shtëpia me Gjethe" në Tiranë që i kushtohet sistemit të përgjimeve që përdori regjimi komunist, Muzeu Bunk'Art 1, që i dedikohet historisë së ushtrisë dhe jetës së përditshme të shqiptarëve gjatë viteve të komunizmit, si dhe Muzeu Bunk'Art 2, që pasqyron aktivitetin e institucioneve policore të regjimit komunist, si dhe dëshmi të ndryshme që lidhen me viktimat e shkaktuara nga regjimi i ish-diktatorit Enver Hoxha.
Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit të Shqipërisë (ISKK), gjatë regjimit komunist në Shqipëri rezulton se 59.009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, ndërkohë që 7.022 humbën jetën gjatë internimit, 34.135 shqiptarë janë burgosur si të dënuar për arsye politike, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, 6.027 janë vrarë, ndërsa rreth 6.000 rezultojnë si të zhdukur.