Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e Shqipërisë (AKShI) ka deklaruar se uebfaqet qeveritare në Shqipëri kanë qenë objekt i sulmeve kibernetike.
Në një deklaratë të publikuar sot në uebfaqen e AKShI-t thuhet se prej kohësh Shqipëria ka qenë nën vëmendjen maksimale të sulmuesve dhe keqbërësve kibernetikë.
"Informojmë opinionin publik se aktualisht gjendemi nën sulme masive, të shpërndara të formatit ‘Distributed Denial-of-Service’ (DDoS) duke bllokuar rrjetin me tentativa ilegjitime aksesimi të faqeve publike. Situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë. Theksojmë se sulme të tilla nuk kanë asnjë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike", thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, në deklaratën ku nuk jepen detaje mbi institucionet e sulmuara, thuhet siguria kibernetike dhe e informacionit është një nga sfidat më të mëdha në epokën digjitale.
"Identifikimi në kohë i kërcënimeve, reagimi i shpejtë, dhe forcimi i sigurisë është një proces kompleks i cili kërkon vëmendjen e duhur dhe marrje masash të përshtatura sipas kohës dhe mënyrës së sulmeve, rast pas rasti", theksohet në deklaratën e AKShI-t.
Kuvendi i Shqipërisë njoftoi më 26 dhjetor se është konstatuar një sulm kibernetik ndaj institucionit të Kuvendit, ndërsa u theksua se nuk ka humbje të të dhënave nga sulmi kibernetik.
Objektiv i një sulmi kibernetik në ditët e fundit në Shqipëri ishte edhe një nga kompanitë e shërbimeve të telekomunikacionit.
Kujtojmë se në korrik dhe shtator të vitit 2022, autoritetet shqiptare konfirmuan se ndaj Shqipërisë është kryer një sulm masiv kibernetik. Sipas autoriteteve, "agresioni kibernetik ishte orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit".