Shqipëria synon të eksportojë 1 miliardë dollarë produkte bujqësore. / Foto: Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë

Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural të Shqipërisë po ecën në mënyrë të sigurt drejt arritjes së objektivit për 1 miliardë dollarë eksporte bujqësore deri në vitin 2030.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Frida Krifca, në një prononcim për ATSh-në, ku theksoi se, “nëse rritja prej 12 për qind e 4 muajve të parë të vitit 2023, konfirmohet deri në fund të vitit, do të kemi edhe 60-70 milionë euro më shumë deri në fund të vitit, duke kapur praktikisht në 2023-shin vlerën e 600 milionë eurove”.

Përpos eksporteve, tha Krifca, mbulimi i tregut me produkteve të vendit vijon të rritet, me 2,5 herë më shumë nga sa ishte më parë.

“Shohim që eksportet tona po bëhen gjithmonë e më të shtrenjta sepse struktura e tyre po ndryshon ku produktet e industrisë agroushqimore po bëhen gjithmonë e më të rëndësishme, duke rritur kështu vlerën e shtuar të produktit që mbetet në ekonominë tonë”, informoi ministrja e Bujqësisë.

Referuar statistikave zyrtare, shifrat e katërmujorit të vitit 2023 tregojnë se eksportet bujqësore, shënojnë konsolidimin të trendit rritës.

“Me politikat tona po zgjerojmë mbështetjen e drejtëpërdrejtë për fermerin dhe investimet në bujqësi, me qëllim rritjen e prodhimit vendas. Nëpërmjet programit IPARD, kemi arritur të mbështesim modernizimin e bujqësisë dhe agropërpunimit, sipas standardeve më të mira në zhvillimin e zinxhirit ushqimor dhe rritjen e eksporteve”, u shpreh Krifca.

Ne, tha ministrja, sot importojmë 2,7 lekë për 1 lek të importuar, ndërsa në 2010 importonim 8,13 lekë për 1 lek të eksportuar.

Për 4 mujorin e parë Shqipëria ka eksportuar në vlerë më shumë fruta në 17,1 % dhe perime 36.3 %, ndërsa ka importuar fruta dhe perime 22,5 % më pak në sasi dhe 11,5 % më pak në vlerë.

Ministrja u ndal në impaktin e rëndësishëm të eksporteve bujqësore në ekonominë e vendit.

“Eksportet tona nuk janë vetëm të ardhura më të larta për fermerët, por janë një zhvillim kapilar i sektorit dhe punësimit, janë një pasaportë e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare. Nëpërmjet eksporteve ne rrisim nivelin e prodhimit, por edhe të sigurisë ushqimore. Afrohemi në standarde e cilësi me tregjet e Bashkimit Evropian. Krijojmë të ardhura më të larta për fermerët, për të rinjtë, duke rivitalizuar sektorin. Zhvillojmë një produkt i cili mundëson zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit. Ndërtojmë identitetin tonë të mbështetur në shfrytëzimin në mënyrë të qëndrueshme të burimeve natyrore”, deklaroi ministrja Krifca.

TRT Balkan / agjencitë