Kryeministri i Qeverisë së Shqipërisë Edi Rama u shpreh sot se Shqipëria merr një tjetër rol ndërkombëtar.
“Shqipëria ulet në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB. Dje, 123 vende anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së votuan pro Shqipërisë, si një prej 15 vendeve që do të ulen në KDNJ nga 1 janari 2024 deri në 31 dhjetor 2026”, theksoi Rama, i cili publikoi edhe emrat e 15 anëtarëve të rinj të KEDNJ.
Anëtarët e rinj të KDNJ-së, përveç Shqipërisë, janë Brazili, Bullgaria, Burundi, Kina, Bregu i Fildishtë, Kuba, Republika Domenikane, Franca, Gana, Indonezia, Japonia, Kuvajti, Malaui dhe Hollanda.
Këshilli, i cili është i ngarkuar me përgjegjësinë për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e njeriut në nivel global, përbëhet nga 47 shtete anëtare të zgjedhura me votim të fshehtë nga shumica e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme.