Shqipëria zgjidhet anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2023-2027, njoftoi ministri për Evropë dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.
Hasani përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka falënderuar shtetet anëtare që votuan Shqipërinë.
“Një lajm i shkëlqyer vjen nga Parisi: Shqipëria sapo u zgjodh anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2023-2027. Falënderojmë të gjitha shtetet anëtare që na besuan këtë përgjegjësi të rëndësishme dhe presim të bashkëpunojmë ngushtë me të gjithë anëtarët e Bordit, në frymën e dialogut dhe konsensusit”, shkruan Hasani.
Në një botë të ndarë nga kriza të shumta, siç shkruan Hasani, ne kemi nevojë më shumë se kurrë të investojmë në paqe.
“Roli i UNESCO-s është më i domosdoshëm se kurrë. Mirënjohje ambasadores Besiana Kadare dhe stafit të MEPJ-së për punën e shkëlqyer”, përfundon Hasani.
Në grupin e dytë të Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, krahas Shqipërisë, si anëtarë janë zgjedhur edhe Serbia, Çekia dhe Sllovakia.