Besimtarët e krishterë festojnë sot Krishtlindjen, festën e dytë më të madhe të krishterëve pas Pashkëve. Në Tiranë u mbajt mesha e “Vigjiljes së Krishtit” në Katedralen e Shën Palit.
Mesha e cila nisi në orën orën 23:00 dhe vijoi deri në mesnatë u ndoq nga besimtarë të shumtë brenda dhe jashtë katedrales.
Kreu i kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj, i cili drejtoi meshën për besimtarët katolikë, përcolli mesazhin për më shumë dashuri dhe paqe.
“Mesazhi i Krishtlindjes bën të dallojmë errësirën nga drita”, tha ai më tej.
Sipas besimit ortodoks dhe katolik, në këtë ditë ka ardhur në jetë nga Virgjerësha Mari, shpëtimtari Jezu Krishti.
Festa e Krishtlindjes simbolizon unitetin dhe ngrohtësinë e të qenit të gjithë pranë familjes.
Mesha është mbajtur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë ndërsa gjatë ditës besimtarët festojnë me drekën tradicionale dhe vizita te familjarët.
Kremtime edhe në Kosovë
Edhe besimtarët katolikë në Kosovë shënuan Krishtlindjen.
Dioqeza Prizren-Prishtinë ka mbajtur meshë në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.
Don Agim Qerkini gjatë meshës u lut për paqe.
“Fëmijët e kremtojnë më së miri këtë festë, e ne na kujtohet më së miri kur ishim fëmijë, ne duhet që t’i përjetojmë këto festa dhe t’i festojmë. Jezusi do t’iu drejtohej nëse nuk bëheni si fëmijët nuk do të hyni në këtë meshë. Lutemi që të jetë paqja pjesë e jona”.