Në tre muajt e parë të vitit 2023 afërsisht 28 mijë shtetas të huaj nga Bashkimi Evropian janë dëbuar në një vend tjetër, përfshirë edhe vendet brenda BE-së. Të dhënat e EUROSTAT-it thonë se, për dallim nga tremujori i vitit të kaluar, dëbimet nga BE-ja janë rritur ndjeshëm me 37 për qind.
“Në tremujorin e parë të vitit 2023, ishin 27.880 shtetas jo-BE të kthyer në një vend tjetër (përfshirë në vendet e tjera të BE-së) pas një urdhri për t'u dëbuar. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm (tremujorin e katërt të 2022), dëbimet u rritën, por vetëm me 0,4%. Por, nëse krahasojmë me të njëjtin tremujor të 2022, dëbimet u rritën ndjeshëm me 37%”, thotë EUROSTAT-i.
Po ashtu, sipas EUROSTAT-it, në të njëjtin tremujor, 111.275 shtetas jashtë BE-së u urdhëruan të largoheshin nga një vend i BE-së, që tregon një rënie prej 10% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022. Mirëpo, krahasuar me të njëjtin tremujor të 2022, ky numër u rrit me 24 për qind.
Më shumë dëbime nga Franca
Në rastin e shtetasve jashtë BE-së të dëbuar në një vend tjetër pas një urdhri për t'u larguar, Franca raportoi gjithashtu numrin më të madh të shtetasve jo-BE të dëbuar në tremujorin e parë të 2023, gjithsej 4.190 persona që përfaqëson 15% të totalit të numrit të përgjithshëm. Pas tyre renditet Gjermania me 3.355 dëbime, Holanda me 2.505, Suedia 2.380 dhe Qiproja me 1.705 dëbime. Listën e shtetasve jo të BE-së me gjithsej 2.465 persona që u dëbuan në një vend tjetër në tremujorin e parë të 2023 e kryesojnë shtetasit e Gjeorgjisë.
Qytetarët e Shqipërisë më të dëbuarit nga rajoni
Nga vendet e rajonit në tre muajt e parë të këtij vitit 1.875 shtetas të Shqipërisë janë dëbuar nga vendet e Bashkimit Evropian. Pas tyre renditen shtetasit e Serbisë, të cilët kanë pranuar gjithsej 795 urdhra për t’u larguar, vijojnë qytetarët e Maqedonisë e Veriut me 430 urdhra për t’u larguar nga BE-ja. Në vendin e katërt nga vendet e rajonit të dëbuar nga BE-ja gjatë tre muajve të parë të vitit 2023 është Bosnjë e Hercegovina, me gjithsej 380 persona, pastaj vijnë shtetasit e Kosovës me 355 dëbime dhe Mali i Zi me 60.