Si ua mohon Greqia arsimimin e duhur turqve në Trakinë Perëndimore.     /Foto: AA Archive

E drejta për arsim ndoshta ka një rëndësi më të madhe për një komunitet pakicë pasi është mjeti përfundimtar për të kapërcyer ndarjet shoqërore, për të promovuar kohezionin dhe për t’u siguruar individëve një ndjenjë përkatësie.

Rreth 150.000 turq etnikë në Trakinë Perëndimore të Greqisë, statusi i të cilëve u përcaktua nga Traktati i Paqes i Lozanës i vitit 1923 dhe të drejtat e të cilëve u mbroheshin nëpërmjet marrëveshjeve të ndryshme dypalëshe dhe shumëpalëshe, janë përballur me shkelje sistematike të së drejtës së tyre për arsimim.

Edhe pse nenet 40 dhe 41 të Traktatit të Lozanës i japin pakicës të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare dhe autonominë në menaxhimin e institucioneve arsimore, Greqia nuk i përmbush detyrimet e saj dhe asimilon komunitetin turk.

Një raport i Human Rights Watch thotë se ekzekutimi i Traktatit të Lozanës nga administrata greke ka qenë i parregullt, duke çuar në një sistem arsimor të organizuar keq dhe të neglizhuar për minoritetin turk.

Çështjet arsimore me të cilat përballet pakica përfshijnë një sistem të përzier administrativ, mësues të dobët, mungesë të kopshteve dygjuhëshe, mbyllje dhe shkrirje të shkollave fillore, shkolla të mesme të kufizuara, materiale të vjetruara dhe të pamjaftueshme mësimore dhe mungesë e një kurrikule për mësimin e greqishtes si gjuhë e dytë.

Javën e kaluar, Ministria Greke e Arsimit dhe e Çështjeve Fetare mbylli nëntë shkolla të tjera të pakicës turke në prefekturat Rodop (Rhodopi) dhe Iskece (Xanthi).

Që nga viti 2011, ka pasur një rritje të vazhdueshme në mbylljen sistematike të shkollave fillore të pakicës turke për shkak të asaj që administrata greke pretendon të jetë një “mungesë e nxënësve”.

Megjithatë, disa shkolla të pakicave duhet të strehojnë më shumë nxënës sesa e lejon kapaciteti i tyre, thotë Hakan Efendi, një specialist turk i burimeve njerëzore, i cili përfundoi arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë në Iskece.

“Ngurrimi i autoriteteve greke për të lejuar ndërtesa të reja i ka shtyrë shkollat të adoptojnë një model arsimor me dy turne,” tha ai për TRT World.

Numri i përgjithshëm i shkollave të pakicave në Trakinë Perëndimore tani është reduktuar në 90, krahasuar me 231 në rajon në vitin 1995. Mbyllja sistematike e shkollave të minoriteteve shihet si pjesë e politikës së Greqisë për mohimin e identitetit ndaj turqve të Trakisë Perëndimore.

“Mohimi i tyre i identitetit tonë ka luajtur një rol edhe më unifikues në shoqërinë dhe fëmijët tanë. Vërej se fëmijët tanë që ndjekin shkollat e pakicave zhvillojnë një ndjenjë më të fortë të përkatësisë ndaj komunitetit dhe identitetit turk,” tha për TRT World Aydin Ahmet, Kryetar i Unionit të Mësuesve Turq të Trakisë Perëndimore.

Ahmet ka shërbyer si Kryetar i sindikatës që nga viti 2017, e cila u mbyll zyrtarisht së bashku me Shoqatën e Rinisë Turke Gumulcine (Komotini) dhe Shoqatën Turke Iskece (Xanthi) në 1983 pasi ata refuzuan kërkesën për heqjen e fjalës ‘turke’ nga shenjat e tyre.

Prej vitit 1972, është ndaluar nga autoritetet greke të tregohet fjala turke edhe në tabelat e shkollave.

Pedagogë të pakualifikuar

Sipas një marrëveshjeje kulturore të vitit 1951, Greqia dhe Türkiye kishin rënë dakord të shkëmbenin 35 mësues për shkollat e pakicave në secilin vend. Megjithatë, Greqia e uli në mënyrë të njëanshme këtë numër në 16 në 1990.

Autoritetet greke kanë penguar prej kohësh mësuesit nga Türkiye të punojnë në shkollat e pakicës turke në Iskece, pavarësisht mungesës së kufizimeve të tilla në marrëveshje. Prej vitit shkollor 2002-2003, mësuesve të arsimuar në Türkiye u është ndaluar gjithashtu të punojnë në shkollat fillore të pakicave.

Vetëm të diplomuarve të Akademisë Pedagogjike të Selanikut (EPATH), e themeluar në vitin 1968 gjatë regjimit të juntës greke, u jepet leje mësimore në shkollat e minoriteteve.

Sipas raportit të Human Rights Watch, shumë turq besojnë se krijimi i EPATH synonte të ushtronte kontroll mbi pakicën dhe ta distanconte atë nga trashëgimia e tij turke.

Për ironi, në EPATH gjuha e mësimit është greqishtja, ndërsa mësuesve iu besohet mësimi në gjuhën turke.

“Këmbëngulja për punësimin e këtyre mësuesve, të cilëve u mungojnë kualifikimet e nevojshme, i shërben qëllimit të vetëm për t’i mbajtur fëmijët tanë larg një eksperience të suksesshme arsimore”, thotë Ahmet.

“Duke reduktuar sa më shumë numrin e individëve të arsimuar dhe duke krijuar një pakicë më të menaxhueshme, synohet përshpejtimi i asimilimit”.

Pasi junta greke pushtoi pushtetin në vitin 1967, komuniteti turk në Trakinë Perëndimore përjetoi persekutim të shtuar dhe shkelje të të drejtave të tyre, shpesh në shpërfillje të dukshme të parimeve të përshkruara në legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Nevojat e kopshteve edukative për fëmijë

Komunitetit turk të Trakisë Perëndimore i është dhënë statusi autonom në arsim sipas Traktatit të Paqes të Lozanës, i cili u lejon atyre të krijojnë shkolla të ndryshme dhe të përdorin gjuhën e tyre amtare.

Në mënyrë të ngjashme, pakica ortodokse greke e Türkiyes, statusi dhe të drejtat e të cilit përcaktohen me traktat në mënyrë të ngjashme me komunitetin turk në Trakinë Perëndimore, ka gjithashtu privilegjin të operojë shkolla, duke përfshirë kopshte që mësojnë gjuhën e tyre amtare, brenda sistemeve të tyre arsimore.

Megjithatë, sot nuk ka ende asnjë kopsht publik në Trakinë Perëndimore që të mësojë në turqishte, madje edhe në krahina ku shumica e banorëve janë turq.

Më 10 janar 2022, Presidenti i Unionit Turk të Xanthit (XTU), Ozan Ahmetoglu, i paraqiti një peticion Komitetit të Peticioneve të Parlamentit Evropian (PETI) duke adresuar mungesën e kopshteve dygjuhëshe të pakicave në Trakinë Perëndimore që ofrojnë arsim si në turqishte, ashtu edhe në greke.

“Përdersia ekzistojnë 42 kopshte publike në Rodop (Rhodope) ku shumica e popullsisë është turke dhe 30 në Iskece (Xanthi) ku gati gjysma e popullsisë është turke, komuniteti turk nuk ka një kopsht të vetëm në të dyja krahinat”, thotë për TRT World, Halit Habip Oglu, kryetar i Federatës së Turqve të Trakisë Perëndimore në Evropë (ABTTF).

Promovimi i aksesit më të madh në arsimin parashkollor për grupet e pakicave mund të shërbejë si një politikë strategjike për të reduktuar pabarazitë e hershme midis fëmijëve nga komunitetet pakicë dhe shumicë, veçanërisht në fusha si shkrim-leximi, siç theksohet nga gjetjet e hulumtimit.

Ndërsa gjithëpërfshirja e arsimit të hershëm mund të hapë rrugën për një shoqëri më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë, ekskluziviteti i tij do të rezultonte në të kundërtën.

Të rinjtë turq mbetën të papunë

Pavarësisht se janë shtetas grekë, turqit e Trakisë Perëndimore nuk janë të punësuar në pozita publike dhe të diplomuarve të shkolluar në Türkiye nuk u ofrohet punë edhe pse kanë marrë arsim të lartë, thotë hulumtimi.

Vetëm një numër i vogël i anëtarëve të komunitetit etnik turk janë të punësuar në pozita të shërbimit civil në nivel komunal a shtetëror. Kjo mund t’i atribuohet arsimimit të pamjaftueshëm, të ndjekur nga diskriminimi institucional ndaj të rinjve turq.

“Migrimi jashtë vendit është në rritje, dhe popullsia po zvogëlohet në Trakinë Perëndimore për shkak të mungesës së punësimit në rajonin tonë, i cili është një nga rajonet më pak të zhvilluara të vendit në aspektin ekonomik”, thotë presidenti i ABTTF-së.

Mungesa e mbështetjes

Traktati i Lozanës siguron që në zonat ku minoritetet banojnë kolektivisht, duhet të ndahet një shumë e drejtë nga buxhetet shtetërore dhe komunale për qëllime arsimore, fetare dhe humanitare. Por, nuk ka ndodhur kështu.

Në krahasim me shkollat greke, sipas vendasve ka mangësi të konsiderueshme në mbështetjen financiare për pajisjet dhe mjediset e shkollave të minoriteteve.

“Ndërsa shkollat greke janë të pajisura me laboratorë dhe burime të ndryshme, shkollat e pakicave luftojnë për të mbajtur aktivitetet e tyre arsimore me burime të kufizuara. Kjo i shtyn më tej prindërit të konsiderojnë shkolla greke për fëmijët e tyre”, thotë Efendi.

“Masa më e rëndësishme për të mbajtur njerëzit tanë në rajon janë investimet e mundshme në zonë,” tha për TRT World Ahmet Kara, një avokat turk nga Iskece.

“Asnjë banor i Trakisë Perëndimore nuk do të largohet nga rajoni nëse mund të mbajë jetesën e tij,” shton Kara.

Athina preferon të përdorë termin “minoritet mysliman” në vend të “minoritet turk” kur përshkruan turqit etnikë në Trakinë Perëndimore, duke shpërfillur identitetin etnik të grupit.

Pakica beson se mohimi i identitetit të tyre vetëm sa përjetëson ndarjen dhe pengon përparimin drejt një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe kohezive.

“Qëllimi kryesor i të gjitha këtyre pengesave është të pretendohet se nuk ka prani turke në Trakinë Perëndimore, domethënë të përpiqemi ta kthejmë këtë në realitet duke krijuar një perceptim të bazuar në mohim”, thotë Halit Habip Oglu.

TRT World