Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në fjalimin e saj vjetor në Kuvend, ka konfirmuar synimin e saj për ndërtimin e një vendi evropian me sistem politik demokratik.
Në fjalimin e saj para shtëpisë legjislative, Siljanovska-Davkova tha se Bashkimi Evropian (BE) është “sistemi politik më i dëshirueshëm demokratik dhe shtëpia jonë”, por kritikoi sjelljen e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ajo tha se doktrina e BE-së për “unitet në diversitet” nuk mund të zbatohet vetëm për anëtarët e saj, por duhet të zbatohet edhe për kandidatët, "madje edhe kandidatët për kandidatë".
“Përndryshe, nuk ka as negociata e as bisedime. Do të ketë ‘eurokraci’ të shprehur në formulën: ‘Dëgjo, hesht dhe bëje’, sepse kam të drejtë të pakufizuar të vetos”, shtoi Siljanovska-Davkova.
“Stabiliteti i kontinentit evropian varet edhe nga Lindja, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor, si një entitet gjeopolitik”, tha ajo.
Siljanovska-Davkova tha gjithashtu se Ballkani është pjesë e natyrshme e Evropës, duke shtuar se anëtarësimi në BE do të jetë një motiv i fuqishëm për ndryshime demokratike në rajon, “gjë që do ta mundësojë përfundimin e përhershëm të kërcënimit dhe destabilizimit, gjegjësisht nga nacionalistët e frustruar dhe do të garantojë paqe të qëndrueshme”.
Ajo më tej theksoi se qëllimi i reformave evropiane nuk është vetëm ndryshimi i ligjeve, por ndryshimi i realitetit dhe ndryshimi i përditshmërisë së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
“Ne nuk po i bëjmë reformat për burokratët e Brukselit, por për qytetarët maqedonas. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një shoqëri të drejtë dhe të avancuar maqedonase”, tha presidentja në fjalimin e saj vjetor në Kuvend.
Ajo bëri thirrje për bashkim në drejtim të integrimit evropian dhe konsensus mes qeverisë dhe opozitës për interesat e përbashkëta shtetërore.