Sindikata e pavarur e punëtorëve të Radio Televizionit të Bosnjës e Hercegovinës të enjten iu drejtua publikut në lidhje me situatën aktuale lidhur me mbijetesën e BHRT-së, duke paralajmëruar se, në mungesë të burimeve financiare, shërbimi publik mund të mbyllet.
BHRT-ja njoftoi publikun se gjendja financiare është e rëndë dhe se ky transmetues do të mbyllet nëse nuk vendoset një mënyrë tjetër e shpërndarjes së taksës së përcaktuar me ligj për RTV-në.
Kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në BHRT, Merima Kurtoviç-Pashaliç, foli në emër të rreth 450 anëtarëve të sindikatës dhe 800 punonjësve të BHRT-së, si dhe në emër të, siç tha ajo, kolegëve të tjerë “të keqpaguar dhe të shtypur” nga shërbime të tjera publike.
"Ashtu si në shtet, personat në pozita janë të mbipaguar, dhe ata që zvarriten dhe lëngojnë janë të nënpaguar. Kjo është shtëpia jonë e dytë", tha Kurtoviç-Pashaliç.
Ajo shtoi se sot po flasin për shkak të anëtarëve të tyre dhe "padrejtësive para të cilave ekspozohen çdo ditë".
"Nuk duam të heshtim më. Duam të themi qartë dhe me zë të lartë: Po, jemi të kërcënuar dhe nuk duam më të durojmë padrejtësi", tha Kurtoviç-Pashaliç. Anëtarja e Bordit Drejtues të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në BHRT-së, Minja Eriq, tha se sindikata ka mbajtur disa takime me përfaqësues të autoriteteve shtetërore dhe federale, të cilëve u paraqitën problemet me të cilat përballen punëtorët dhe se nuk mungon mbështetja verbale.
"Kur flasim për problemet e BHRT-së, të gjithë janë në disponim për t'i zgjidhur ato. Mirëpo, përveç mbështetjes verbale, deri më sot nuk kemi asnjë mbështetje konkrete ose zgjidhje dhe as nuk është propozuar. Situata tani është edhe më e vështirë. Nuk kemi si të mbledhim taksën e RTV-së. Një nga problemet më të mëdha janë pajisjet mbi 40 vjet të vjetra, të cilat vazhdojnë të prishen dhe, në fund, mund të jenë vërtet të rrezikshme për shëndetin e vetë punëtorëve. Më shumë se 60 për qind e punëtorëve kanë të ardhura prej 800 KM (rreth 400 euro), për të mos thënë që kontributet nuk paguhen prej vitesh. Për të dalë në pension pritet me muaj", tha Eriq.
Më 27 dhjetor, sindikata e pavarur e punëtorëve në BHRT-sëi dërgoi një letër të hapur Asamblesë Parlamentare të Bosnjë-Hercegovinës (BeH), e cila është themeluesja e këtij shërbimi publik, Këshillit të Ministrave, qeverive të entiteteve, Bordit të Drejtorëve dhe menaxhmentit të BHRT-së dhe qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës për "shpëtimin" e shërbimit publik të BeH-së.
Në letër, ata theksonin se në mungesë të burimeve financiare, shërbimi publik mund të mbyllet, dhe se Ligji për Sistemin Publik të RTV-së në BeH nuk respektohet dhe se tarifa e mbledhur e RTV-së nuk shpërndahet në mënyrën e parashikuar sipas ligjit.