Situatë alarmante me zjarret në Maqedoninë e Veriut, 6 vatra aktive.     /Foto: QMK/Facebook

Situata me zjarret në hapësirë ​​të hapur në Maqedoninë e Veriut është jashtëzakonisht alarmante, tha drejtori i Qendrës së Menaxhimit të Krizave, Stojançe Angellov. Sipas tij, vetëm dje ka pasur 60 zjarre. Ai u ka apeluar apeluar fermerëve që të mos djegin kashtë, kurse blegtorët të mos djegin kullotat.

“Me gjithë shuarjen intensive të ditës së djeshme, gjashtë zjarre në ambiente të jashtme janë djegur gjatë gjithë natës dhe janë ende aktive, katër prej të cilave janë më të mëdha dhe më të rrezikshme. Deri në mbrëmje do të ketë shumë të tjera. Dua të theksoj se edhe zjarri më i vogël mund të shndërrohet në një zjarr të madh në një çast, i cili kërcënon jetën e njerëzve, shëndetin dhe pronën”, theksoi Angellov.

Ai bëri të ditur se gjatë fundjavës duke filluar nga e premtja, së bashku me të shtunën dhe të dielën, në hapësirë ​​të hapur kanë ndodhur gjithsej 116 zjarre.

Gjatë muajit shtator, siç shton Angellov, janë regjistruar gjithsej 778 zjarre në hapësirë ​​të hapur, 43 prej të cilave janë shuar me avionë.

Angellov thekson se nuk ka reshje serioze për një kohë të gjatë dhe nuk priten në dhjetë ditët e ardhshme, bimësia është jashtëzakonisht e thatë, temperaturat ditore janë ende të larta, zjarrfikësit dhe pilotët, siç thotë ai, janë të rraskapitur dhe në fund të fuqisë së tyre.

U bëj thirrje të gjithë kryetarëve të komunave të ndjekin procedurat e përcaktuara me ligj dhe të kërkojnë mbështetje ajrore kur të jenë ezauruar të gjitha mundësitë e tjera. Zjarret nuk mund të shuhen nga ajri me avionë dhe helikopterë pa mbështetjen e zjarrfikësve nga toka. Është e pamundur të shuhet zjarri derisa të shkelin zjarrfikësit në vend, shprehet Angellov.

QMK-ja, siç shton ai, vlerëson domosdoshmërinë e përdorimit të avionëve dhe i koordinon nëse përdoren.

Numri i avionëve është i kufizuar, ndërsa numri i zjarreve është çdo ditë e më i madh, thotë drejtori i QMK-së.

TRT Balkan / agjencitë