Slloveni: Propozohet rritja e taksës së RTV-së në 14 euro në muaj / Photo: AA

Ministria e Kulturës e Sllovenisë ka dërguar për koordinim ndërrepartiak një dekret që do të rrisë taksën e RTV-së për 10 për qind. Sipas planit të ri, tarifa për një familje individuale nuk do të ishte më 12,75 euro, por 14,05 euro në muaj.

Sipas Ligjit për RTV Slloveni, Qeveria mund ta ndryshojë shumën e taksës së RTV-së për dhjetë për qind, nëse ka arsye ekonomike për ta bërë këtë. Ministria e Kulturës konfirmoi se tashmë është përgatitur dekret për ndryshimin e masës së taksës.

Megjithatë, sipas sllovenes “Delo”, nëse Qeveria dëshiron të aplikojë shumën e re të taksës së RTV-së nga viti 2025, duhet të marrë një vendim deri në fund të këtij muaji.

Ministria e Kulturës parashikon se ndryshimet do të zbatohen brenda afatit, sepse propozimi sipas të cilit kontributi i RTV-së do të rritet nga 12,75 euro në muaj në 14,05 euro për familje, tashmë është në koordinim ndërinstitucional dhe pritet që Qeveria ta marrë deri në fund të gushtit.

Programi i RTV-së ka mbetur i pandryshuar që nga viti 2012, por Ministria e Kulturës sqaron se “nuk është më e mundur të sigurohet funksionimi normal i institucionit tonë më të rëndësishëm publik të medias dhe kulturës, i cili si pjesë e shërbimit publik përfshin krijimin, përgatitjen, arkivimin dhe transmetimin e disa programeve televizive, përmbajtjes digjitale edhe për komunitetet kombëtare autoktone italiane e hungareze, dhe për komunitetin kombëtar rom, si dhe informacion të plotë, kujdes për arkivimin dhe prodhimin artistik”.

Këshilli i RTV-së i bëri thirrje Qeverisë që në qershor të rregullojë kontributin në inflacion, dhe të sigurojë financim afatgjatë të qëndrueshëm. Në dhjetë vitet e fundit, si qeveria aktuale, ashtu edhe qeveritë para saj kanë bërë një vesh të shurdhër ndaj thirrjeve të tilla për shkak të reagimeve të pritshme të publikut. Sipas informacioneve të “Dela”, qeveria nuk ka hequr dorë nga ideja për ndryshime më thelbësore në financimin e RTV Sllovenisë, për të cilën tashmë është duke u përgatitur një ndryshim në ligjin për RTV Slloveni.

AA