Ish-presidenti slloven Borut Pahor po përgatit një draft skicë për dialogun mes Kosovës dhe Prishtinës, përderisa pret që të zëvendësojë Mirosllav Lajçakun në postin e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun. Këtë e konfirmoi kabineti i tij në një publikim në shkurtër në X.
Kabineti i Pahorit njoftoi se ish-presidenti i Sllovenisë “në pritje të rolit të tij si kandidat për përfaqësues special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, ai aktualisht nuk po i përgjigjet asnjë pyetjeje apo kërkese për intervistë deri në ndonjë njoftim tjetër”.
Megjithatë, ata njoftojnë se drafti që do të përgatitet do të koordinohet me shefin e diplomacisë evropiane dhe vendet e Quintit.
“Ish-Presidenti Pahor është duke përgatitur një draft skicë për vazhdimin e dialogut, por ai dëshiron që fillimisht ta koordinojë atë me Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Borrell dhe vendet anëtare të BE-së, veçanërisht vendet e Quintit”, thuhet në njoftimin e kabinetit.
Borut Pahor ishte president i Sllovenisë nga viti 2012 deri në vitin 2020. Më herët, ai shërbeu si kryeministër i vendit në periudhën 2008-2012. Pahor është kandidat që të trashëgojë detyrën e Mirosllav Lajçakut si ndërmjetës për dialogun, pas 4 viteve shërbim në këtë detyrë nga sllovaku.