Sllovenia do t'i transferojë gjysmë milioni euro Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), kështu që popullata civile do të marrë ushqim dhe pajisje akomodimi me një vlerë prej më shumë se 434.105 euro.
Duke vendosur të vazhdojë financimin e UNRWA-s, Qeveria e Sllovenisë iu përgjigj thirrjes së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të sigurojë vazhdimësinë e punës së kësaj agjencie kyç për sigurimin e aktiviteteve humanitare në Gaza.
Siç ka paralajmëruar qeveria sllovene, mungesa e fondeve për UNRWA-në paraqet rrezikun e një kolapsi të plotë të sistemit humanitar - si në Gaza dhe Bregun Perëndimor, ashtu edhe në kampet e refugjatëve në Jordani, Liban dhe Siri.
Me akuzat për përfshirje të 12 anëtarëve të UNRWA-së, në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit nga lëvizja palestineze Hamas, që aktualisht po hetohet nga një komision i pavarur i udhëhequr nga ish-ministrja e jashtme franceze Catherine Colonna, qeveria sllovene shprehu pritshmërinë e saj që si UNRWA-ja ashtu edhe më gjerë OKB-ja të ndërmarrin veprimet e duhura në procesin e auditimit dhe hetimit.
Në të njëjtën kohë, qeveria sllovene do t'u ofrojë palestinezëve ndihmë materiale në ushqim dhe pajisje akomodimi në vlerën e parashikuar prej 434.105 euro. Transporti ajror i ndihmave do të kryhet nga një avion C17 i ushtrisë sllovene nëpërmjet Jordanisë. Organizata bamirëse jordaneze Hashemite, e emëruar nga Ministria e Punëve të Jashtme jordaneze, do të marrë dërgesën.
Ndihma do të sigurohet nga furnizimet e Ushtrisë Sllovene dhe Administratës së Republikës së Sllovenisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, sqaroi Qeveria, si dhe tregoi se Sllovenia do të ndajë 10.560 shujta ushqimesh të thata ditore, 2.500 batanije dhe 1.000 dyshekë gjumi për palestinezët si pjesë e pakos së ndihmës.