Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, rrëzoi sot kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha, për t’i lejuar atij të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit.
Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është nën masën e sigurisë “Arrest Shtëpie”, pasi është nën hetim për akuzën e korrupsionit, kërkoi nga SPAK-u leje për të marrë pjesë në seancat plenare.
Avokatët e kreut të “Rithemelimit”, argumentuan se kjo është një e drejtë dhe detyrim kushtetues në kuadër të përmbushjes së detyrimit që Berisha ka si ligjvënës. Por, SPAK-u, njofton se pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur nga mbrojtja, rrëzoi kërkesën e Berishës.
“Personi nën hetim Sali Berisha (i përfaqësuar nga mbrojtësit e tij Sokol Mëngjesi dhe Genci Gjokutaj) ka depozituar në datën 15.01.2024 një kërkesë me anën e së cilës kërkonte lejimin e tij për të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit, në cilësinë e deputetit. Pasi janë njohur me përmbajtjen e kësaj kërkese, me vendimin e datës 18.01.2024 Prokurorët kanë vendosur mospranimin e saj”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sakaq, tashmë Berisha përballjen tjetër në SPAK do ta ketë më datën 23 janar 2024, kur ish-kryeministri është thirrur për t’u marrë në pyetje nga SPAK-u, pas kërkesës së avokatëve për ta shtyrë seancën që ishte caktuar më 18 janar. Një ditë më pas, më 24 janar do të shqyrtohet kërkesa e Berishës për heqjen e masës së arrestit shtëpiak të caktuar nga gjyqtarja e GjKKO-së Irena Gjoka më datë 30 dhjetor.
Ish-kryeministri ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa vazhdon hetimi ndaj nën akuzën korrupsion pasiv, lidhur me çështjen e privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”.