Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe ai i Bullgarisë, Oliver Spasovski dhe Ivan Demerxhiev, thanë sot nga Shkupi se nuk do të lejohet asnjë incident në shënimin e përvjetorit të lindjes së Goce Dellçevit, që duhet të mbahet me 4 shkurt, dhe në atë drejtim policia maqedonase po ecën dhe po i merr të gjitha masat e nevojshme.
“Ne duam të dërgojmë një mesazh të qartë se asnjë incident nuk do të tolerohet. Policia maqedonase po i merr të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme dhe absolutisht nuk guxon të lejojë incident, gjegjësisht do të sigurojmë nderimin që i takon të madhit tonë Goce Dellçevit”, tha ministri Spasovski pas takimit me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme bullgare Ivan Demerxhiev.
Pas takimit, Demerxhiev po ashtu konfirmoi se do të bëhen përpjekje për përkujtim paqësor të Goce Dellçevit.
- Nga kolegu Spasovski kam marrë të gjitha informacionet se gjithçka do të sigurohet, se absolutisht do të merren të gjitha masat për mbarëvajtjen e sigurt të ngjarjes. Dhe gjithashtu e sigurova se nuk do të lejoj që njerëzit që do të vijnë në festë të shkaktojnë provokime ose ngjarje të pakëndshme. Kemi arritur marrëveshje që çdo gjë të jetë në mënyrën më të mirë që kjo ngjarje të ndodhë dhe të mos lejojmë që disa persona të tentojnë të ndezin zjarrin ku nuk ka. Qëllimi është të nderohet njeriu i madh Goce Dellçev, e jo të jetë qendër dhe vend ku do të ndodhin fenomene radikale”, tha Demerxhiev pas takimit me kolegun maqedonas në Shkup.
Tensionet mes Shkupit dhe Sofjes përsëri janë ngritur si rezultat i një incidenti në Ohër ditë më kur sekretari i klubit bullgar “Car Boris III” u sulmua dhe u rrah në një objekt hotelerik.