Spiropali-Adamova: Shqipëria mirënjohëse Çekisë për mbështetjen në BE.          Foto: AA

Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë, Marketa Pekarova-Adamova, po realizon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është takuar me kryeparlamentaren Elisa Spiropali. Spiropali dhe Adamova mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, duke u fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, zhvillimet në rajon, procesin e integrimit evropian dhe çështje të tjera.

Spiropali u shpreh se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke bazohen në respekt të ndërsjellë dhe aspiratat e përbashkëta.

"Ndër vite ne kemi thelluar dialogun tonë politik të nivelit të lartë duke zgjeruar bashkëpunimin në shumë dimensione. Jam veçanërisht e inkurajuar nga bashkëpunimi në rritje midis parlamenteve tona përmes grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe shkëmbimeve mes ligjvënësve", tha Spiropali.

Ajo u shpreh se Shqipëria i është thellësisht mirënjohëse Republikës Çeke, sipas saj, për mbështetjen e palëkundur për rrugëtimin të Shqipërisë në BE dhe shtoi se aspirata për t'u anëtarësuar në BE brenda vitit 2030 është e realizueshme.

"Me kolegen Adamova shqyrtuam mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në kuadër të Procesit të Berlinit, ku Shqipëria me krenari ka luajtur një rol drejtues. Diskutimet tona shkuan dhe më tej në rajon. Theksuam urgjencën e avancimit të integrimit euro-atlantik të Kosovës, duke mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja, si rruga drejt paqes së qëndrueshme dhe fuqizimit të pozitës së Kosovës në arenën globale. Rikonfirmuam vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke njohur kontributin thelbësor të komunitetit shqiptar në këtë proces", tha Spiropali.

Spiropali shtoi se theksuan mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës "në luftën e saj kundër agresionit rus".

Adamova: Çekia mbështetëse e qëndrueshme e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE

Adamova deklaroi se Shqipëria është partner i çmuar dhe i besueshëm i Çekisë në NATO. Ajo theksoi se Çekia është një mbështetëse e qëndrueshme e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në tërësi në BE.

"Vlerësoj mundësinë që të diskutoj me kryetaren (Spiropali) mbi çështjet e përgjithshme të sigurisë në Evropë dhe zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor. Jam e kënaqur të them që marrëdhëniet mes Çekisë dhe Shqipërisë janë të fuqishme, sidomos kur bëhet fjalë për bashkëpunimin e ndërsjellë ekonomik", tha ajo.

Adamova u shpreh se turizmi është një sektor që po lulëzon në marrëdhëniet midis dy vendeve, ndërsa shtoi se Shqipëria përmirëson sektorin e turizmit.

"Bashkëpunimi jonë ekonomik është shumë i lidhur ngushtë me qëllimin e gjerë të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian", theksoi ajo.

Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Çekisë gjatë ditës së sotme do të mbajë edhe një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë.

TRT Balkan / agjencitë