Kryetarja e Kuvendit të Shqipërsië, Elisa Spiropali, deklaroi sot se nxitja e bashkëpunimit rajonal konsiderohet nga Shqipëria si faktor themelor për përshpejtimin e procesit të integrimit europian në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, në sallën e seancave plenare zhvilloi sot punimet mbledhja e Asamblesë Parlamentare të Nismës për Europën Qendrore.
Spiropali u ndal te ecuria e procesit të integrimit europian të vendit, ndërsa theksoi se Shqipëria është në pritje të konferencës së dytë qeveritare.
“Vlerësojmë se mbështetja dhe bashkëpunimi proaktiv i shteteve anëtare të BE-së mbetet vendimtare për përparimin tonë në rrugën drejt integrimit europian. Për ne integrimi europian është zgjidhja e vetme”, tha Spiropali.
Duke u ndalur në fushën e turizmit dhe kulturës, kryeparlamentarja Spiroplai theksoi se, përveç shënimit të një zhvillimi të vrullshëm turistik të vendit, është avancuar në përpjekjet për ta kthyer rajonin në destinacion kryesor turistik.
“Synojmë krijimin e një pakete gjithëpërfshirëse turistike. Promovimi i diversifikimit të turizmit për të gjitha vendet e rajonit mbetet prioriteti ynë kryesor”, shtoi Spiropali.