Steinmeier nga Tirana: Jemi në krah të Shqipërisë në rrugëtimin evropian / Photo: ATA

Presidenti i Republikës Federale Gjermane, Frank-Walter Steinmeier, gjatë takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, në Tiranë, deklaroi se Gjermania do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë dhe do ta mbështesë fuqishëm në rrugëtimin evropian.

Steinmeier po ashtu vlerësoi edhe rolin e Shqipërisë në NATO.

“Jo vetëm Gjermania, por edhe NATO-ja gëzohet që ka në krah të saj një partner kaq të besueshëm sa Shqipëria. Brenda NATO-s, Shqipëria kontribuon në mënyrë të rëndësishme në mbrojtjen e krahut lindor dhe në forcimin e sigurisë rajonale, këtu në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.

Ai siguroi për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë, teksa sqaroi rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

“Kam respektin maksimal të angazhimit si anëtare e Këshillit të Sigurimit, brenda OKB-së, në një periudhë jo të lehtë. Gjermania e ka shoqëruar Shqipërinë prej fillimit në përafrimin me BE-në dhe ka kontribuar brenda mundësive të saj në përforcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e tyre. Për mua ishte shumë e rëndësishme të udhëtoja sa më shpejt të ishte e mundur pas nisjes së bisedimeve drejt Shqipërisë dhe ju premtoj se në kontekstin e reformave në procesin e anëtarësimit do të vijojmë t’ju mbështesim”, deklaroi Steinmeier.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai vlerësoi rolin e të ngarkuarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Çdo kontribut që sjell uljen e përshkallëzimit të konflikteve është i mirëpritur. Respekt për kolegun e mikun tim, Lajçak, që e ka shndërruar në mision të tij normalizimin e dialogut”, tha Steinmeier.

Nga ana tjetër, presidenti Bajram Begaj në konferencën e përbashkët me homologun e tij deklaroi se sot qeveria shqiptare është e angazhuar në Procesin e Berlinit dhe këtë, sipas tij, e dëshmon edhe mbajtja e samitit vitin e ardhshëm në Tiranë.

“Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm dhe firmosja e marrëveshjeve para 1 muaji për lëvizshmërinë krijon premisa për marrëveshje të reja në të ardhmen”, tha Begaj.

Lidhur me “Ballkanin e hapur”, Begaj tha se “është një proces integral dhe nëse do të jetë gjithëpërfshirë dhe do të ketë në fokus lëvizshmërinë dhe bashkëpunimin ekonomik është i mirëpranuar”.

Sipas tij Shqipëria ka qenë pjesë e dialogut e mekanizmave rajonalë dhe çdo bashkëpunim rajonal është në interes të mirëqenies së njerëzve.

Ndërsa, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Begaj tha se “është i mirëpritur propozimi franko-gjerman ose i Brukselit”.

ATA