Qeveria e Kosovës ka miratuar Rregullore të re për të Drejtat në Rabat, duke e konsideruar këtë si etapë të re për industrinë kinematografike në Kosovë.
Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo Rregullore do ta bëjë Kosovën destinacion kryesor për prodhimtari filmike në rajon, ku përmes saj "kompanitë e huaja filmike do të kenë mundësinë të xhirojnë projektet e tyre në territorin e Kosovës, për të cilin investim do të rimbursohen 30 për qind të shpenzimeve të pranueshme që i kanë harxhuar në bizneset, shërbimet, e burimet njerëzore vendore".
Gjithashtu, ai bëri të ditur se i njëjti instrument aplikohet edhe për kompanitë që zhvillojnë video-lojëra.
"Investim direkt në artistin dhe talentin kosovar kreativ"
Ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Hajrulla Çeku, tha se i njëjti instrument do të aplikohet edhe për animacione, video-klipe dhe video-lojëra.
Çeku, i cili tha se miratimi i kësaj rregullore "pa dyshim se do të nisë një etapë të re", nënvizoi se aplikimi për këtë proces duhet të bëhet në Qendrën Kinematografike të Kosovës.
"Me rabatin, sigurohet që 30 për qind e shpenzimeve të pranuara t’i kthehen direkt investuesit të huaj: shpenzime që bëhen në shërbime dhe fuqi punëtore lokale. Kjo nuk është vetëm për filma dhe seriale, por edhe për video-klipe muzikore, reklama dhe së fundmi edhe për zhvilluesit e lojërave", theksoi Çeku.
Ministri kosovar tha se kjo nuk është thjesht një mbështetje, por investim direkt në artistin dhe talentin kosovar kreativ.
"Kosova si një vend ku kostoja për prodhime audio-vizuele është relativisht e ulët, ndërsa cilësia e prodhimeve është shumë e lartë, besojmë që do të tërheqë kompani që ndjekin ambiente të punës me kosto efektive dhe me produkt serioz", theksoi Çeku.
Rabati në Kosovë është përcaktuar deri në 30 për qind të shpenzimeve të pranueshme ku përfshihen burimet njerëzore, shërbimet dhe mallrat e përdorura dhe konsumuara në Kosovë.
Në vendet e rajonit, sipas ministrit Çeku, e drejta e rabatit përdoret me përqindje më ndryshe, si në Bullgari me 25 për qind, Maqedoninë e Veriut me 20 për qind, Polonia 30 për qind, Kroacia 25 për qind dhe Mali i Zi 25 për qind.
Rabati në kinematografi dhe vepra të tjera audio-vizuale është një lloj subvencioni për të tërhequr investime të huaja filmike në Kosovë.