Gjykata Themelore në Prishtinë ka vazhduar masën e paraburgimit ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj gjykate, Majlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve D.M., B.S. dhe V.T., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e PSRK-së dhe tre të pandehurve iu ka vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj, për secilin. Masa e paraburgimit të pandehurve iu është vazhduar nga data 24.12.2023 deri me datë 24.02.2024.”, tha ajo për KosovaPress.
Kujtojmë se më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Sulmi u cilësua si akt terrorist dhe agresioni ndaj shtetit të Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.