Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi pamjet nga droni ku shihet nënkryetari i Lista Sërpska, Millan Radojçiq, i armatosur dhe i uniformuar, bashkë me dhjetëra persona të tjerë të armatosur në Manastirin e Banjskës.
“Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Sërpska është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, publikoi Sveçla.
Millan Radojçiq është i arratisur nga Kosova në Serbi dhe kërkohet nga organet e rendit dhe të ligjit të shtetit të Kosovës. Ai gjithashtu është përfshirë në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe.
Para rreth dy javësh, ai kërcënoi hapur kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin me anë të një publikimi në Facebook.
“Albin Kurti, ti si të gjithë okupuesit, mund të bësh ç’të duash, por jo aq gjatë sa do ti. Koha do të tregojë se kush do të vuajë dhe do të paguajë në fund”, kishte publikuar Radojçiq më 14 shtator.
Mediat e rajonit shkruajnë se Radojçiq mund të jetë në mesin e të plagosurve nga Policia e Kosovës në aksionin e së dielës në veri.