Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla pas publikimit të video-pamjeve, me ç’rast u dëshmua prezenca e kryekriminelit dhe udhëheqësit të aksionit terrorist Millan Radojiçiq, sot e konfirmoi që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq. Ky i fundit siç njofton Sveçla ka qenë trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.
“Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Millan Radojçiq, si nënkryetar i Listës Serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-së. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë”, shkroi Xhelal Sveçla.
Këto fakte sipas Sveçlës janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi.
“Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë”, shkroi ai.
Ndër të tjerash, Sveçla shprehi edhe një herë mirënjohje për qendresën e Policisë së Kosovës atë ditë dhe për profesionalizmin e pashoq, aksion në të cilin nuk është lënduar asnjë civil.