Kryeparlamentari i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, po qëndron për vizitë zyrtare në Shkup, ku zhvilloi takim me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Talat Xhaferi. Të dy krerët e parlamenteve konstatuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes të dyja vendeve. Konjufca dhe Xhaferi thanë se parlamenti i Kosovës dhe ai i Maqedonisë së Veriut e kanë intensifikuar bashkëpunimin në shumë fusha, ndërsa inkurajuan qeveritë për organizimin e mbledhjes së dytë të përbashkët së shpejti.
Konjufca dhe Xhaferi folën gjithashtu për zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon dhe ngjarjeve në Veri të Kosovës. Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se Kosova është kundër gjuhës së dhunës, eskalimit dhe barrikadave, që nxitet dhe praktikohet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, këto veprime që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe ndikimi rus qëndron në prapavijën e tyre.
“Këto veprime të Serbisë janë të papranueshme. Ato kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe ndarjen de facto të Republikës së Kosovës. Ne si popull qëndrojmë shumë të bashkuar që t'i luftojmë këto veprime të cilat po ashtu si prapavijë gjeopolitike kanë ndikimin rus”, tha kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca.
Xhaferi nga ana tjetër tha se palët duhet të veprojnë në mënyrë racionale, ndërsa përmendi se edhe Maqedonia e Veriut si pjesë e NATO-s ka kontingjent në Kosovë, për të siguruar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Të dy palët duhet të veprojnë në mënyrë racionale për situatën e krijuar në veri të Kosovës. S’do mend që, përskaj kompetencave të institucioneve të Republikës së Kosovës, garantues i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës nëpërmjet Kombeve të Bashkuara me mandat është përcaktuar NATO-ja si forcë e cila duhet të sigurojë rendin, qetësinë dhe lirinë e lëvizjes dhe funksionimin e Republikës së Kosovës. Tanimë edhe ne si pjesë e NATO-së, jemi pjesë e kontingjentit të NATO-së në Kosovë”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Xhaferi tha se po i përcjellin me shumë kujdes zhvillimet në rajon, por tani për tani nuk ka nevojë për thirrjen e Këshillit të Sigurisë.