Në Shqipëri po mbahet takimi i 15-të i Drejtuesve të Agjencive Ligjzbatuese Kundër Drogës të Evropës - HONLEA, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve nga vendet të ndryshme dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare.
Përfaqësuesja e Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, Eglantina Gjermeni, në fjalën e saj në hapje të takimit tha se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe kombëtar luan një rol shumë të rëndësishëm në zhvillim e një përgjigjeje efektive dhe të konsoliduar në luftën kundër drogës.
"HONLEA ka një rol shumë të rëndësishëm për nxitjen e shkëmbimit të informacionit rajonal dhe eksperiencave të realizuara dhe mësimet lidhur me adresimin e problemit të drogës. Unë besoj që diskutimet në këto grupe pune do të gjenerojnë vëzhgime të rëndësishme dhe rekomandime të dobishme për qeveritë kombëtare", tha Gjermeni.
Drejtori i Departamentit për Policinë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, Neritan Nallbati, në fjalën e tij tha se prodhimi dhe trafikimi i drogave ka marrë përmasa të konsiderueshme, jo vetëm i drogave tradicionale, por edhe atyre sintetike dhe, sipas tij, është shndërruar në një problem serioz.
"Prodhimi, trafikimi dhe abuzimi me drogat tashmë janë identifikuar si një kërcënim serioz për shëndetin dhe jetën e qytetarëve tanë, për sundimin e ligjit dhe për parimet demokratike të sistemeve tona. Si e tillë, lufta kundër drogës është përcaktuar si prioriteti i agjencive të zbatimit të ligjit, por edhe institucioneve të tjera qeveritare", tha ai.
Nallbati tha se problemi i drogës ka qenë dhe do të mbetet problem global dhe shtoi se takimi do të kontribuojë në shkëmbimin e eksperiencave në luftën kundër drogës.
Ai theksoi më tej se "Shqipëria në pozicionin e saj gjeografik është vendosur në rrugën ballkanike të trafikimit të drogave dhe është e prekur jo pak nga ky fenomen".
Takimi, që do të vazhdojë deri më 23 qershor, ka në fokus temat mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese dhe mundësitë për partneritete mes vendeve në luftën kundër trafikimit të drogës.