Takimi i Borellit me Kurtin dhe Vuçiqin, pritet shtensionimi i situatës.  / Foto: AA

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka bërë të ditur se është takuar në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Borrell në një konferencë për media tha se nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, presin ndërmarrjen e hapave konkretë për shtensionimin e situatës në veri.

Ai tha se pala kosovare duhet menjëherë të pezullojë operacionet në afërsi me objektet komunale në veri të Kosovës dhe katër kryetarët e komunave të tërhiqen nga objektet komunale.

Gjithashtu, pala serbe duhet të sigurojë, siç tha ai, largimin e protestuesve pranë katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit, njëkohësisht me tërheqjen e forcave policore kosovare.

“Pastaj duhet të shpallen zgjedhjet e parakohshme sa më shpejtë që është e mundur në të katër komunat me kushtin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe këtu qëndron thelbi i problemit dhe thelbi edhe i zgjidhjes. Zgjedhje të hershme, zgjedhje të reja, sa më shpejt që është e mundur, me pjesëmarrje të plotë”, theksoi Borrell.

Ai tha se pas normalizimit të situatës në terren duhet të vazhdojë dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimi i Marrëveshjes së fundit të nënshkruar nga palët në Bruksel dhe Aneksi i saj i nënshkruar në Ohër, që përfshin edhe negociatat për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Borrell në fund tha se është diskutuar edhe nevoja për lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të tre zyrtarëve policorë nga autoritetet serbe.

Takimi në Bruksel i përfaqësuesit Borrell me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq erdhi si nevojë për deeskalimin e situatës së tensionuar në veri të vendit javëve të fundit dhe për të vazhduar procesin e normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore Kosovë-Serbi me dialog.

Kurti: Shpresoj për ditë më të qeta, por nuk ka garanci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në Bruksel se njëra ndër arsyet e situatës aktuale të tensionuar midis Kosovës dhe Serbisë është moszbatimi i Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të saj të këtij viti.

Kryeministri Kurti në deklarimin e tij për media pas takimit që ka zhvilluar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, tha se mosnënshkrimi i marrëveshjeve të arritura midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së po pasohet me mostakime të palëve.

Ai tha se pala kosovare është e gatshme për zgjedhje të reja në katër komunat veriore sipas ligjeve në Kosovë. Ndërkaq, sa i përket prezencës së policisë në komunat veriore, Kurti tha se prania e tyre “nuk është e dëshirueshme për ne, por është e obligueshme duke marrë parasysh ekstremistët e dhunshëm të cilët kanë qëlluar mbi ushtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët”.

Kurti tha se është “i hendikepuar sepse s’ka pasur takim direkt” mes tij dhe presidentit Vuçiq me ndërmjetësimin e BE-së.

“Megjithatë, jam optimist, ndonëse nuk kishim takim trilateral, që në ditët dhe javët në vijim do të kemi mbase ditë më të qeta dhe më paqësore, por natyrisht nuk ka garanci për një gjë të tillë, për shkak se vazhdojmë të kemi numër shumë të madh të atyre kriminelëve të cilët ndonëse figurojnë në listat e personave të cilët janë me fotografi dhe me video-xhirim duke sulmuar qytetarët, gazetarët, KFOR-in e policinë, vazhdojnë të mos jenë prapa grilave dhe ne nuk e dimë ku janë ata, ndoshta në Serbi, por ndoshta edhe në Kosovë”, theksoi Kurti.

Kryeministri kosovar tha se po ashtu me Borrellin ka folur për nevojën e lirimit të menjëhershëm dhe pa kusht të tre zyrtarëve të kidnapuar nga autoritetet serbe në territorin kosovar më 14 qershor.

Më herët, pas takimeve bilaterale, Borrell shpalosi kërkesat e BE-së për Kosovën dhe Serbinë në mënyrë të shtensionimit të situatës aktuale.

Borrell tha se Kosovës i është paraqitur kërkesa që katër kryetarët shqiptarë të komunave veriore me shumicë serbe ta ushtrojnë detyrën e tyre jashtë objekteve komunale, ndërsa Serbia t’i largojë protestuesit afër komunave, të cilët duhet të largohen bashkë me policinë. Pas këtyre hapave, Borrell tha se u pajtuan për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja komunale me pjesëmarrje të plotë.

Vuçiq: Nuk mund të them nëse është bërë një hap drejt deeskalimit

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk mund të thotë nëse në takimet e Brukselit është bërë ndonjë hap drejt deeskalimit të situatës në veri të Kosovës, sepse nuk ka marrë pjesë në takimin që PërfaqësuesI i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borel mbajti me kryeministrin Albin Kurti, por që atij i duket se Brukseli po bën gjithçka që ka për të arritur një zgjidhje dhe për të kuptuar situatën në terren.

"Më duket se ajo që do të ndodhë më pas varet në një masë shumë më të vogël nga Boreli dhe nga ne, dhe shumë më tepër nga ata që nuk ishin të interesuar për paqen ose stabilitetin, por u përpoqën të shkaktojnë trazira me provokime të përditshme. Gjithmonë është mirë kur mund të dëgjosh dikë dhe të sqarohesh. Kështu që unë nuk shoh ndonjë dëm nga takimet. Nëse diçka shkon mirë - shkëlqyeshëm. Nëse jo - çfarë duhet të bëj", tha presidenti i Serbisë pas takimit me Borellin.

Ai ka theksuar se është shumë i hapur dhe i gatshëm për bisedime me përfaqësuesit e BE-së, gjë që e kanë treguar edhe bisedimet e fundit që ka pasur një natë më parë pas mesnate.

TRT Balkan / agjencitë