Në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës është mbajtur takimi ndërmjet drejtorëve të departamenteve të Policisë Kufitare dhe Migracionit të Shqipërisë dhe të Greqisë, ndërkohë takimi i ministrit të Brendshëm të Shqipërisë Taulant Balla dhe ministrit të Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë Giannis Oikonomou është anuluar për shkak të trazirave në Athinë.
Në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë thuhet se në fokus të takimit ndërmjet dy drejtorëve, drejtues i Lartë Saimir Boshnjaku dhe gjeneral major Dimitrios Mallios, ishte menaxhimi i fluksit në pikat e kalimit kufitar, si dhe forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër krimeve kufitare.
"Drejtuesit më të lartë të policive kufitare shqiptare dhe greke shprehën vlerësimin për bashkëpunimin shumë të mirë dypalësh, si dhe u dakordësuan për intensifikimin e masave të përbashkëta për menaxhimin e fluksit, si dhe për rritjen e numrit të sporteleve në të dyja anët e kufirit", thuhet në njoftim.
Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, Drejtues i Lartë Saimir Boshnjaku, pas takimit me homologun grek, ka deklaruar se takimi është realizuar lidhur me menaxhimin e situatës në pikat e kalimit në kufirin me Greqinë.
Sipas autoriteteve shqiptare, takimi mes zyrtarëve policorë është mbajtur me dakordësinë e ministrave Balla dhe Ikonomou, pas anulimit të takimit mes dy ministrave.