Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka realizuar një vizitë zyrtare në Sofje, ku është takuar me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, nga ku është mbajtur edhe takimi i dy delegacioneve.
Në delegacionin maqedonas, siç njoftojnë nga Kabineti i Presidentit, përveç presidentes Siljanovska Davkova, ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, dhe ministri i Kulturës dhe i Turizmit, Zoran Lutkov.
“Në takimin me presidentin bullgar u bisedua për nevojën e zhvillimit të thelluar të marrëdhënieve maqedono-bullgare, tejkalimin e çështjeve të hapura ndërmjet dy vendeve, rrjedhën e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe shfrytëzimin e përvojave bullgare në këtë aspekt, si dhe mundësitë për të nxitur dhe promovuar bashkëpunimin dypalësh në më shumë fusha”, njoftohet nga Kabineti.
Gjithashtu, presidentja Siljanovska-Davkova theksoi se nevojitet dialog dhe bisedë e vazhdueshme ndërmjet dy vendeve fqinje dhe anëtare të NATO-s, si dhe shembuj pozitivë nga të dyja palët për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme të fqinjësisë së mirë.
“Në këtë kontekst, ajo theksoi rëndësinë e diplomacisë kulturore dhe publike, si dhe nevojën për të nxitur bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës, ekonomisë dhe tregtisë dhe fokusimin në sfidat e së tashmes, në vend që fokusi të jetë në të kaluarën”, thuhet më tej.
Në takim u shkëmbyen opinione për zhvillimin e marrëdhënieve maqedono-bullgare përmes prizmit të sfidave rajonale dhe globale, të cilat kërkojnë qasje të përbashkët dhe të harmonizuar.