Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, lideri i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski, e dorëzoi të martën në Kuvend planin e punës dhe përbërjen e qeverisë së ardhshme të koalicionit, e cila do të ketë gjithsej 24 anëtarë.
Qeveria e re, e cila përbëhet nga koalicioni VMRO DPMNE dhe "Maqedonia juaj", koalicioni shqiptar "VLEN" dhe partia "Znam", do të ketë 20 ministri, në vend të 16 që kishin qeveritë e mëparshme.
Kabineti i Mickoskit përfshin 15 anëtarë nga koalicioni i partisë së tij VMRO-DPMNE, gjashtë nga koalicioni “VLEN” dhe dy nga "Znam", partia e kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrevskit.
Rregullorja parlamentare parasheh që seanca për zgjedhjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të zgjasë më së shumti dy ditë.
Në fillim të seancës, mandatari shpjegon programin dhe propozimin e përbërjes së qeverisë, pas së cilës diskutohet për atë pikë të vetme të rendit të ditës.
Zgjedhja e qeverisë votohet në tërësi me votim publik pas përfundimit të debatit dhe jo më vonë se të dielën deri në orën 24:00.
Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut zgjidhet nëse pro votojnë shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve.
Shumica parlamentare, e cila përfshin VMRO DPMNE-në, koalicionin "VLEN" dhe lëvizjen "ZNAM", ka gjithsej 78 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me 120 ulëse.
Në përbërjen e re të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, janë koalicioni “Fronti Europian”, koalicioni “Për Ardhmërinë Evropiane” i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrat e Maqedonisë (LSDM) dhe partia politike E Majta.
Lideri i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, mori mandatin për të formuar qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut të enjten, më 6 qershor pas fitores plebishitare në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të mbajtura në Maqedoninë e Veriut.