Thaçi në Hagë: Padrejtësia nuk mund të zgjidhet me padrejtësi tjetër.     /Foto: Reuters

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është deklaruar sot para trupit gjykues të Gjykatës Speciale në Hagë, ku po vazhdon gjykimi ndaj tij, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, për krime të pandehura lufte në Kosovë.

Thaçi, në deklaratën e tij pa betim, edhe një herë u deklarua i pafajshëm. Ai tha se me akuzat ndaj tij po bëhet një padrejtësi tjetër që nuk u bën nder viktimave.

“Viktimat nuk arrijnë të marrin drejtësi kur ndiqen të pafajshmit. Një padrejtësi nuk mund të zgjidhet me një padrejtësi tjetër”, deklaroi Thaçi ndër të tjerash.

Thaçi deklaroi se do të donte që në këtë proces të mund të dëshmojnë ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright, ish-ambasadori Richard Holbrooke e po ashtu edhe figurat e Kosovës, përfshirë ish-presidentin Ibrahim Rugova, Fehmi Agani dhe Adem Demaçi.

Ai tha gjithashtu se realiteti po ngatërrohet me spekulime dhe bëri thirrje që të mos merren si fakte opinionet e dikujt, qofshin ato bashkëpjesëmarrës në luftën çlirimtare.

“Realiteti po ngatërrohet me opinione ose agjenda të ndryshme. Spekulimet po merren për fakte”, theksoi Thaçi.

Gjatë ditës flasin edhe mbrojtja e Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Më herët, avokatët mbrojtës të Thaçit para gjykatës argumentuan se Hashim Thaçi nuk ka pasur kontroll mbi UÇK-në dhe as rol vendimtar në udhëheqjen e saj. Gjithashtu, nëpërmjet publikimit të video materialeve u argumentua se Thaçi ka promovuar bashkëjetesën pas luftës.

TRT Balkan