Në Brdo afër Kranjës në Slloveni filloi sot takimi i 11-të i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku në fokus do të jetë situata në rajon dhe domosdoshmëria për përshpejtimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE).
Në këtë takim marrin pjesë presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, Kryesuesi dhe anëtarët e presidencës së Bosnjë e Hercegovinës Shefik Xhaferoviq, Zheljko Komshiq dhe Milorad Dodik, presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, si dhe presidentët e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, ai i Kroacisë Zoran Milanoviq dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Pas fotos së përbashkët të udhëheqësve të Procesit Brdo-Brioni, filloi seanca plenare. Pas përfundimit të aktiviteteve është planifikuar një konferencë për shtyp.
Siç njoftoi kabineti i Presidentit të Sllovenisë, takimi i liderëve të Brdo-Brioni do të jetë një mundësi për të shqyrtuar situatën aktuale në rajon dhe për t'u bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian (BE) që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit.
Gjithashtu bëhet e ditur se në fokus të takimit në Brdo pranë Kranjës do të jetë paqja, stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit Perëndimor, si dhe pasojat e luftës në Ukrainë për rajonin.
Takimet në Procesin Brdo-Brioni mbahen prej vitesh me iniciativën e Kroacisë dhe Sllovenisë si anëtarë të Bashkimit Evropian, me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore dhe përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të vende të tjera në rajon, disa prej të cilave tashmë janë duke negociuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian ose kanë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Iniciativa e Procesit Brdo-Brioni filloi në vitin 2010 kur kryeministrat e atëhershëm slloven dhe kroat, Borut Pahor dhe Jadranka Kosor, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje arbitrazhi mes dy vendeve, donin të jepnin shembull për liderët e Ballkanit Perëndimor dhe t'i inkurajonin për të zgjidhur çështjet dypalëshe dhe për forcimin e ritmit në rrugën evropiane.
Që nga viti 2013, takimet në kuadër të Procesit Brdo-Brioni janë mbajtur çdo vit, ndërsa takimeve të liderëve rajonalë u janë bashkangjitur të ftuar specialë, duke përfshirë ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, ish-presidentin e Austrisë Heinz Fischer, presidentin e Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, presidenti polak Andrzej Duda, presidenti i Italisë Sergio Mattarella, presidenti aktual i SHBA-së dhe dikur nënpresidenti Joseph Biden, si dhe përfaqësues të institucioneve evropiane.