Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka organizuar në Tiranë një iftar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme turke dhe shqiptare, përfaqësuesve të organizatave dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme.
Në iftarin e organizuar në ambientet e një hoteli, të pranishëm ishin ambasadori turk në Tiranë Tayyar Kağan Atay, nënkryetari i TIKA-s Mahmut Çevik, koordinatori i TIKA-s në Tiranë Mustafa Ata, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Andi Seferi, drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë Ömer Osman Demirbaş, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri Mesut Özbaysar, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve turke dhe shqiptare.
Në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari i TIKA-s, Çevik, u shpreh se shpreson që Ramazani të forcojë bashkimin dhe solidaritetin, vëllazërimin dhe përpjekjet solidare.
"Muaj i Ramazanit, si një bekim i madh që na ka dhënë Allahu i Madhëruar, rrënjos në mbarë njerëzimin mënyrën e të jetuarit. Ramazani ushqen jetën tonë sociale, kulturore dhe ekonomike, i shton vlerë jetës përgjatë një muaji dhe na ndërgjegjëson për të kuptuar njëri-tjetrin", tha Çevik.
Ai tha se sot marrëdhënia mes Ballkanit dhe Shtetit Osman konsiderohet si një nga marrëdhëniet më të forta përgjatë historisë.
Çevik theksoi se TIKA zhvillon aktivitetin e saj në Shqipëri që nga viti 1996 për të vazhduar rritjen e marrëdhënieve dhe ndërveprimit ekzistues midis dy vendeve dhe shtoi se deri më sot në Shqipëri janë realizuar rreth 600 projekte.
Ambasadori Atay u shpreh se vitet e fundit ka fituar një shpejtësi të madhe fuqizimi i marrëdhënieve mes Türkiyes dhe Shqipërisë.
"Në mbyllje të vitit 2023 ne festuam 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Türkiye-Shqipëri. Këtë vit kemi filluar 100-vjetorin e dytë të këtyre marrëdhënieve. Si përfaqësi e ambasadës patjetër ne do të bëjmë të pamundurën për zhvillimin e mëtejshëm dhe ecurinë me sukses të të gjitha veprimtarive.
Të gjitha veprimtaritë, mbështetja dhe kontributet e pakursyera të TIKA-s, na bëjnë ne të jemi krenarë", tha Atay.
Ambasadori turk tha se këtë vit e filluan Ramazanin të thyer sepse “po përjetohet një fatkeqësi e madhe në Palestinë”.
Gjatë programit të iftarit u shfaq edhe një video rreth TIKA-s dhe aktiviteteve të saj.