Samiti i Komunitetit Politik Europian që u mbajt të enjten në Londër, vitin e ardhshëm do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili vlerësoi se ky është një tjetër fakt kuptimplotë i pozicionit të ri të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Deri dje jo vetëm s’mund të imagjinohej të respektoheshim si të barabartë e të bëheshim stacion europian aktivitetesh të nivelit më të lartë politik, po shikoheshim si një periferi e prapambetur ballkanike”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë dje në punimet e Samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian që u zhvillua në Britaninë e Madhe.
Në këtë samit u organizua një pritje për liderët nga mbreti Çarls III dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
Gjithashtu, u organizuan edhe dy tryeza të rrumbullakëta: një për emigracionin e paligjshëm që u bashkëdrejtua nga Giorgia Meloni dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; një tjetër për mbrojtjen dhe sigurimin e demokracisë, që u bashkëkryesua nga presidenti Charles Michel dhe presidenti malazez Jakov Millatoviq.