Prishtina mori nga Tirana stafetën si “Qyteti Europian i Sportit 2024” dhe për këtë arsye Veliaj tha se Tirana është e gatshme të japë eksperiencën e saj.
“Është një bekim i madh sot që vëllai im Përparimi është në Tiranë dhe këtë xhamadan kuq e zi ia dhuroj edhe për simbolikën e transferimit të një titulli shumë të rëndësishëm, si ‘Qyteti Europian i Sportit’ nga Tirana në Prishtinë, me shpresën se do të jetë pa dyshim një energji kuq e zi, por edhe një punë e mirë për qytetin dhe përgatitjen e një organizimi tjetër të madh, atë të Lojërave Mesdhetare”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Përparim Rama u shpreh se Prishtina ka mësuar shumë nga Tirana për titullin “Qyteti Europian i Sportit”, duke theksuar se Tirana është zhvilluar më shumë dhe me hapa të shpejtë.
“Këtë vit e marr me konfidencë të madhe titullin Prishtina “Qyteti Euriopian i Sportit” sepse e dimë që, nëse ngelim diku, do t’ju thërrasim në telefon ose do t’ju marrim në Prishtinë për të na ndihmuar. Sa herë vij, ndiej që Tirana po zhvillohet shumë e më shumë, me hapa shumë të shpejtë”, tha Rama.
Ata theksuan bashkëpunimin e shkëlqyer mes Tiranës dhe Prishtinës, për të mësuar më shumë dhe për të marrë më të mirën nga njëri-tjetri.