Tirana, nikoqire e panairit të punës dhe aftësive.     /Foto: AA

Në Shqipëri është hapur panairi i punës dhe aftësive, ku do të prezantohen ofertat e ndryshme të punësimit nga kompanitë dhe programet e studimit nga institucionet arsimore private e publike.

Panairi organizohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë me moton “Punë dhe studim”, ndërsa pjesë e tij janë dhjetëra kompani dhe institucione arsimore.

Pjesë e panairit është edhe universiteti i Fondacionit Turk Maarif, Universiteti i New Yorkut në Tiranë, i cili do të prezantojë programet e studimit dhe risitë që ofron ky universitet.

🔵Work and Study Fair finally comes to Tirana! UNYT was honoured to welcome on its stand the Minister of Education and...

Posted by University of New York in Tirana on Tuesday, April 25, 2023

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, në një deklaratë për mediat në lidhje me hapjen e panairit tha se sipërmarrja private është para sfidave të mëdha, sipas tij, në radhë të parë është sfida e integrimit, përshtatja e konkurrencës dhe tregut për tregun e madh të Bashkimit Evropian dhe nga ana tjetër sfida e kapitalit njerëzor.

Ai theksoi se nëse sipërmarrja duhet të integrohet në nivelin e duhur dhe të arrijë standardet e Bashkimit Evropian, duhet të ketë një kapital njerëzor të kualifikuar dhe të diplomuar në mënyrën e duhur.

“Ky panair që organizohet sot është një sinjal i pastër që u jepet në radhë të parë të gjithë të rinjve shqiptarë, që po vetëm nëpërmjet edukimit dhe aftësimit profesional ne mund të jemi vlerë e shtuar për veten, ekonominë dhe familjen tonë dhe nga ana tjetër është një sinjal i pastër për sipërmarrjen private që kapitali njerëzor i kualifikuar duhet të paguhet në mënyrën dinjitoze", tha Jaka.

Panairi që mbahet në datat 25-26 prill, organizohet nën kujdesin e Dhomës së Tregtisë dhe të Industrisë Tiranë, me mbështetjen e Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë së Shqipërisë, Ministrinë së Arsimit dhe të Sportit, Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe të Aftësive të Shqipërisë dhe Bashkisë së Tiranës.


TRT Balkan / agjencitë