Tirana nikoqire e Procesi të Berlinit më 16 tetor.     /Foto: Edi Rama/Facebook

Më 16 tetor, Tirana do të mirëpresë samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Lajmi u dha nga Kancelari gjerman Scholz në konferencën e përbashkët për mediet në Berlin, me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz, deklaroi se Ballkani Perëndimor dhe integrimi i tij në Bashkimin Evropian janë shumë të rëndësishme.

“Në shumë raste kam tërhequr vëmendjen se kjo është një nga detyrat shumë të mëdha që duhet të përmbushë Evropa tani. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe pjesë e familjes evropiane. Prandaj, gëzohem që t’i re dakord në nëntor të ftosh në Shqipëri Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit. Përgatitjet për të tani kanë përparuar dhe në 16 tetor samiti do të zhvillohet. Në këtë mënyrë Samiti i Procesit të Berlinit për herë të parë në historinë thuajse 10-vjeçare të procesit do të organizohet në kryeqytetin e një shteti të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Scholz.

Samiti i fundit i Procesi të Berlinit u zhvillua më 3 nëntor të vitit 2022 pikërisht në Berlin, nën patronazhin e kancelarit Olaf Scholz.


TRT Balkan