Në Tiranë është mbajtur një protestë me moton “Jo drejtësi me regji”, me pjesëmarrjen e dhjetëra qytetarëve dhe disa deputetëve.
Protesta është organizuar nga partia opozitare, Partia e Lirisë (PL) para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK), për ta kundërshtuar arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta dhe punës, sipas PL-së, me "dy standarde" të SPAK-ut.
Sekretari i përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, në fjalën e tij gjatë protestës tha se po protestojnë për një mision historik, patriotik dhe kombëtar.
"SPAK-u është shkatërruesi përfundimtar i reformës në drejtësi dhe i çdo shprese të shqiptarëve për barazi përpara ligjit, që prodhon vetëm padrejtësi, anti-ligj, arbitraritet dhe përndjekje politike dhe policeske të opozitës", u shpreh Blushi.
Blushi theksoi se është detyra e të gjithëve që besojmë te liria, drejtësia, demokracia, sovraniteti dhe interesat kombëtare që ta shumëfishojnë angazhimin.
Gjatë protestës u lexua edhe një mesazh i ish-presidentit Meta.
PL-ja pretendon se “SPAK-u ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën duke mos ndëshkuar korrupsionin në nivelet më të larta”.
Gjithashtu, PL-ja pretendon se arrestimi i ish-presidentit Meta, që është kryetar i kësaj parti politike, është antiligjor.
Ish-presidenti Meta është arrestuar më 21 tetor dhe akuzohet për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish. Aktualisht, ai është në paraburgim.