Dhjetëra qytetarë në Tiranë sot organizuan një tubim dhe marshim në mbështetje të paqes dhe lirisë së popullit palestinez, duke i dënuar sulmet e Izraelit ndaj palestinezëve.
Tubimi me moton “Stop gjenocidin në Gaza” është organizuar në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë, me thirrjen e disa organizatave të shoqërisë civile nga Shqipëria dhe me mbështetjen e qytetarëve.
Me pankartat në duar me mbishkrimet "Zgjidhje me dy shtete", "Zbato rezolutat e OKB-së", "Ndaloni krimet e luftës të Izraelit në Gaza", "Ndalo gjenocidin në Gaza", "Palestina e lirë" dhe "Stop bombardimit në Gaza", të pranishmit në tubim dënuan masakrat ndaj popullit palestinez dhe bënë thirrje për ndalimin e vrasjes së civilëve në Gaza.
Në tubim u bë thirrje për ndalimin e luftës, ndalimin e masakrave, gjenocidit dhe spastrimit etnik, që, sipas organizatorëve, "po bëhen ndaj popullit palestinez në Gaza".
Pas tubimit u organizua edhe marshim përgjatë Bulevardit "Zogu i Parë", ku pjesëmarrësit bënë thirrje për ndalimin e luftës dhe ndalimin e masakrave ndaj popullit palestinez.
Edhe vitin e kaluar në Shqipëri u mbajtën tubime në mbështetje të Palestinës dhe popullit palestinez dhe për dënimin e krimeve të luftës, duke i dënuar sulmet e Izraelit ndaj palestinezëve.